Prokuroria e Gjilanit ka dhënë detaje shtesë në lidhje me arrestimin e të dyshuarit të katërt në lidhje me vrasjen e B.V. në këtë komunë, raporton Gazeta Enigma.
I ndjeri ishte vrarë në një kafiteri në qytetin e Gjilanit më 12 shtator të vitit që lamë pas.
Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten edhe një person, siç njofton Prokuroria me inicialet L.J, pasi që dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasje.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se ka ndaluar edhe një person, me inicialet L.J., pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 12 Shtator 2021, në Gjilan, ku me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri B.V”, thuhet në komunikatë.
Organet e sigurisë njoftojnë gjithashtu se ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’.
Për këtë rast, me kërkesë të prokurorisë, të pandehurit F.O., G.B. dhe I.V., gjenden nën masën e paraburgimit.
Ndryshe, Policia kishte deklaruar se 50-vjeçari ishte duke pirë kafe, kur dy persona qëlluan me armë zjarri drejt tij, e më pas u larguan në drejtim të panjohur./Gazeta Enigma/