Shumica e personave të nivelit të lartë të politikës të akuzuar për krim e korrupsion janë liruar nga akuza qoftë nga Prokuroria Speciale apo nga Prokuroritë Themelore si pasojë e ndikimeve politike, po vlerësojnë njohës të kësaj fushe.
Avokati Tomë Gashi thotë se gjyqtarët e prokurorët nuk frikësohen por ndikohen.
“Deri më tani gjyqësori thuajse ka qenë i kapur ndoshta jo krejtësisht, por në shumicën e rasteve dhe kemi pa që për rastet që kanë qenë shumë lehtë të vërtetueshme gjykatat kanë sjellë në shumicën e rasteve akgjykime liruese. Ndikimet kanë qenë haptas saqë kushdo që ka pa një kronikë televizive e ka kuptuar që rasti nuk është zgjedhur drejtë, por është zgjedhur ashtu siç dikujt i ka konvenuar”, thotë Gashi për EO.
Avokati Gashi tha se “ilaçi” i vetëm është vettingu, duke shtuar se në sistem ka shumë profesionistë e kredibil por siç thotë ai “disa molla të prishura i prishin edhe ato që i kanë afër”
“Është i vetmi ilaç për korrupsionin edhe në gjykata edhe në prokurori sepse me të vërtetë thuajse të gjithë po e dimë që numri më i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve është okej, janë njerëz me kredibilitet, të dijshëm e dinë profesionin e tyre, e duan dhe japin vendime të drejta. Por një pjesë e cila është aty edhe te gjyqtarët e prokurorët sjellin vendime drakonike”, ka thënë ai.
“Ajo që thuhet në popull ‘disa molla të prishta i prishin të gjitha ato që i kanë për afër’ dhe vettingu është i menduar që si një lloj rrjete juridike e ligjshme që kush nuk e kalon thjesht nuk e kalon thjeshtë shkon në shtëpi dhe ia len një vend të hapur dikujt tjetër i cili ka aftësi, kredibilitet ka besueshmëri dhe nuk ka njolla në karrierën të saj”, theksoi ai.
Përderisa Leotrim Gashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) për Ekonomia Online tha se prej pavarësisë asnjë zyrtarë i lartë i akuzuar për korrupsion nuk është dënuar për korrupsion me burgim.
“Në raste kur ka pasur aktgjykime dënuese edhe pse kanë qenë të pakta, nuk kemi parë asnjë aktgjykim dënues duke dërguar atë person prapa grilave. Pra prej pavarësisë e tutje as edhe një rast nuk e kemi kur një zyrtarë i lartë i akuzuar për korrupsion, i dënuar për korrupsion është dënuar me burgim. Edhe ato pak dënime që kanë qenë, kanë qenë kryesisht dënime me kusht dhe dënime me gjobë për të cilat lehtë mund të thuhet se nuk e arrijnë as edhe për së afërmi qëllimin se pse ata janë dënuar”, shtoi ai.
Gashi potencoi se vettingu si proces duhet që të përfundojë sa më shpejt që te jetë e mundur, në mënyrë që sistemi gjyqësorë ta ketë gjyqtarë e prokurorë të pandikuar nga politika.
“Kjo ndikon negativisht si te pozitat të cilat ata mbajnë po ashtu edhe te perceptimi i një vendimi eventual të gjykatës. Ne në vazhdimësi kemi thënë që vettingu është kryesori si sistem i cili duhet të veprohet sa më shpejtë, një ide e cila sa më shpejtë duhet të hidhet në letër e të përfundohet në mënyrë që sistemi gjyqësorë ta ketë si gjyqtarë e prokurorë që janë profesional dhe punën e tyre ta kryejnë në mënyrën më të mirë të mundshme e askush të mos ketë dyshim se të njëjtit mund të jenë të ndikuar nga zyrtarët e caktuar politik”, tha Gashi.
Edhe Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se shumica e aktgjykimeve për rastet e nivelit të lartë kanë përfunduar me aktgjykime liruese.
“Është e vërtetë që në të kaluarën kemi pasur raste të mëdha të korrupsionit të cilat shumica prej tyre kanë përfunduar në aktgjykime liruese fatkeqësisht. Mirëpo ne po shpresojmë që tash me strategjinë e re për sundim të ligjit e me krijimin e një ambienti më të mirë do të shohim përmirësim edhe në punën e prokurorisë dhe gjykatave”.
Sipas tij, mbi 2/3 e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë që këto institucione janë të pavarur dhe të paanshëm, duke shtuar se vettingu nuk ka alternativë.
“Ajo çka duhet bërë unë mendoj se është filluar një proces i vettingut, mendojmë se ky proces alternativë nuk ka. Ne kemi menduar se ndoshta është mirë të vendosim një sistem i vlerësimit të performancës dhe pastaj gradualisht duke i bërë vlerësimet e duhur të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të eliminohen prokurorët dhe gjyqtarët që i’u mungon integriteti e profesionalizmi.
Po shihet se kjo nuk do të mund të realizohet, unë mendoj se aktualisht është aktuale dhe besoj që edhe Qeveria është duke punuar në atë drejtim që me procesin e vettingut nuk ka alternativë”. / Gazeta Enigma.