“Po shtohen mercenarët shqiptarë në Ukrainë”, thotë Putini

“Po shtohen mercenarët shqiptarë në Ukrainë”, thotë Putini

Rusia tenton sërish të përfshijë Ballkanin në luftën në Ukrainë. Kësaj here ka qenë vetë presidenti Vladimir Putin që pretendon se po shtohen mercenarët nga vendet e treta që marrin pjesë në luftë. 

“Ne kemi vërejtur gjithnjë e më shpesh paraqitjen e mercenarëve nga vendet e treta, duke përfshirë nga Shqipëria dhe Kroacia, luftëtarë kosovarë, madje edhe xhihadistë me përvojë në luftimet në Siri”, shprehet presidenti Putin.

Këtë shqetësim ia përcolli kancelarit gjerman, Olaf Schoz, me të cilin zhvilloi një bisedë telefonike që ka zgjatur një orë. Pika e vetme e diskutimit ka qenë lufta në Ukrainë.

Putin i tha kancelarit gjerman se mbi 6 mijë shtetas të huaj po mbahen peng dhe po përdoren si mburojë njerëzore nga radikalët, teksa i bëri thirrje Perëndimit që të punojë për lirimin dhe largimin e tyre nga Ukraina.

Presidenti rus njoftoi se delegacionet e Moskës dhe të Kievit do të zhvillojnë raundin e tretë të negociatave për paqe gjatë fundjavës.

Megjithatë Moska nuk heq dorë nga kërkesat e saj që Ukraina të mbesë neutrale, të denazifikohet, të çarmatoset, të pranojë pavarësinë e Luhansk dhe Donetsk dhe që Krimea është territor i Rusisë.

Putin i ka rreshtuar Schoz sërish arsyet e tij për nisjen e asaj që e konsideron “operacion special ushtarak” duke theksuar se po bëhet për të mbrojtur popullatën në Donbas. Gjithashtu i ka shpjeguar qëllimet që dëshiron të përmbushë Rusia me këtë luftë.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman i ka bërë thirrje Putin që të ndërpresë menjëherë aktet armiqësore në Ukrainë dhe të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare. Schoz ka shprehur shqetësim të thellë për vazhdimin e luftimeve dhe viktimat në popullatën civile.

Putin kundërshtoi duke theksuar se ushtria ruse po tregohet e kujdesshme në këtë drejtim duke kursyer jetët e civilëve në Ukrainë dhe akuzoi qeverinë e Kievit për informata false. 

VIDEO

Reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë për akuzat nga Putini

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka mohuar edhe njëherë lajmet, kësaj here nga presidenti Putin, se në Ukrainë është shtuar numri i mercenarëve nga Shqipëria.

Xhaçka deklaroi se Shqipëria do të vijojë punën me aleatët për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj popullit të Ukrainës.

“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata”, shkruan ministrja Xhaçka.

Related Articles