Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë – Cilat parti janë pro e cilat kundër

Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë – Cilat parti janë pro e cilat kundër


Qëndrime të polarizuara kanë paraqitur partitë politike në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet lidhur me Projekt-kodin Civil, ku parashihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë, shkruan Gazeta Enigma.

Teska e paraqiti përmbajtjen e projekt-kodit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se ky proces ka filluar në vitin 2014.

Ajo ka shtuar se është i rëndësishëm sepse hartimi i tij bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës.

“Është adresuar çështja e pasurisë së bashkëshortëve në martesë. Në rast të divorcit gjykata do ta ndajë pasurinë në mënyrë të barabartë nëpërmjet bashkëshortëve pavarësisht nëse njëri ka qenë në marrëdhënie pune. Me kodin civil vetëm martesa mbi 18 vjeç do të lejohet”, ka thënë ajo.

Ajo tha se qëndrimi i Qeverisë për këtë projektligj tashmë dihet.

“Po të kishim mendim ndryshe ne e kishim tërheq. Prandaj dihet qëndrimi i Qeverisë së Kosovës. Sa i përket kontratave martesore i kemi hequr sepse përballemi me një mentalitet patriarkal. Pastaj për ta ruajtur familjen gratë mund të nënshkruajnë kontrata që heqin dorë prej pasurisë dhe nëse shkurorëzohen ato mund të mbesin pa asgjë. Sa i përket çështjes së moshës së martesës, unë këmbëngul në këtë për shkak se shteti e ka obligim që fëmijët t’i drejtojë kah shkollimi dhe arsimi. Sipas UNICEF-it martesa e fëmijëve prek gratë në mënyrë të shpërputhshme”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se neni 1138 po lexohet keq. Ajo ka shtuar se në këtë nen është paraparë mundësia që personat me gjini të njëjtë të regjistrohen si bashkësi civile.

“Unë konsideroj që kjo është në harmoni me Kushtetutën që nuk lejon asnjëlloj diskriminimi as në baza gjinore as në ato të moshës e asnjë tjetër. Ka vende të ndryshme që i kanë të rregulluara në forma të ndryshme martesat e gjinisë së njëjtë”, ka shtuar ajo.

Kurse, Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pas Kushtetutës, ky është dokumenti më i rëndësishëm që ka ardhur në Kuvend.

“I falënderoj të gjithë ekspertët që kanë punuar në një dokument të tillë. Rregullon fushën civile dhe shumë çështje që më nuk do të duhej të ishin konteste gjyqësore. Mendoj që është bërë avancim shumë i madh sidomos te çështja e trashëgimisë së gruas. Është e papranueshme mos me qenë kryeministri në këtë seancë. Ne si GP i bëjmë thirrje të vijë sepse pikërisht për këtë ligj konkretisht për nenin për Bashkësitë e regjistruara civile të seksit të njëjtë kemi pasur reagim të bashkësive fetare në Kosovë. Rrjedhimisht si GP pa prezencën e kryeministrit dhe pa deklarimin e tij ne përmbahemi nga votimi”, ka thënë ai.

Teksa po diskutohej për përmbajten e ligjit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se partia e tij e përkrah këtë projektligj.

“Ne inkurajojmë qeverinë të mos ndalet me kaq. Ne si LDK kemi edhe çështje te tjera që duhet të inkorporohen në mes të dy leximeve ne këtë kod. Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti. Por kemi interes të kuptojmë edhe qëndrimin e qartë të qeverisë për atë çështje që është diskutuar shumë në shoqëri. Na intereson të dimë cili është qëndrimi i Qeverisë, nëse ai është ashtu siç është rregulluar në ligj, a ka bërë punë qeveria që të kemi një ligj të veçantë për bashkësitë civile?”, tha ai.

E kundër doli deputeti Erxhan Galushi i cili ka thënë se promovimi i të jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.

“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.

Projektligji për martesat e gjinisë së njëjtë nuk mori as mbështetjen e AAK-së. Kurse shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në formën se si ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e tyre.

“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektkod të rëndësishëm. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë nuk e dimë a janë kundër kodit civil apo se keni ngreh çështje që nuk keni guxim… Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Jemi deklaruar kundër versionit të kodit civil. Ne mendojmë se në formën si është ky kod civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai. / Gazeta Enigma.

Related Articles