Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të luaj rolin kryesor në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Mes tjerash, Hovenier tha se SHBA-ja pret që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, aktive dhe kreative në dialog, ashtu siç pret edhe pala serbe.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se dialogu është një element shumë i rëndësishëm i asaj që po ndodh në rajon tani. Ne presim që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, aktive, dhe kreative në dialog, njëjtë siç presim nga Beogradi që të bëjë të njëjtën gjë”,ka thënë Hovenier, raporton klankosova.
Për vizitat e fundit zyrtare të lartë amerikanë, Hovenier ka thënë se është një “shenjë e përkushtimit tonë ndaj dialogut”.
Ndërsa, lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe përgjithësisht situatën atje, ambasadori amerikan tha se janë të përgatitur për çfarëdo, ndonëse nuk shohin indikacione të destabilizimit.
“Unë do të thoja se ne po e vëzhgojmë situatën nga afër. Për momentin ne nuk po shohim indikacione të destabilizimit, por është diçka për të cilën jemi të përgatitur dhe kemi sytë nga autoritetet e Kosovës që të bëjnë ç’është e mundur për t’i mbajtur gjërat të qeta dhe padyshim që po flasim edhe me të tjerë”, tha Hovenier.