Zyra e Rregullatorit për Energji i ka reaguar Institucionit të Avokatit të Popullit, lidhur me një opinion që ka lëshuar ky institucion për vlerësimin e strukturës së re tarfore kundrejt të drejtave të njeriut.
Sipas ZRRE-së, IAP’I as që e ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore.
“Fillimisht duhet pasur parasysh se në kuadër të kompetencave të dhëna në legjislacionin primar dhe sekondar, ZRRE ka mandat për aprovimin e metodologjive tarifore dhe aprovimin të tarifave të energjisë. Në këtë kuptim në vitin 2021 ZRRE ka iniciuar procesin e rishikimit të tarifave të energjisë elektrike në harmoni me legjislacioni primar dhe sekondar duke i dhënë mundësinë e komentimit të gjitha palëve të interesit lidhur me propozimin fillestar të ZRRE-së”.
“ZRRE pas shqyrtimit të komenteve të palëve të interesit ka paraqitur vlerësimin përfundimtar lidhur me Strukturën Tarifore. Vlen të theksohet se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka ofruar ndonjë koment gjatë këtij procesi si mundësi e dhënë për të kontribuar në cilësinë e këtij procesi”.
“Ndër të tjera, në opinionin e Institucionit të Avokatit të Popullit pretendohet që rivendosja e bllok-tarifës në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës ka qenë e kuptueshme dhe e mirëpritur nëse do të vendosej për të kursyer energjinë elektrike, por kjo nuk paraqitej në arsyetimin e ZRRE-së. Institucioni i Avokatit të Popullit në opinionin e tij, shihet që fare nuk ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore, dhe fton Institucionin e Avokatit të Popullit t’i referohet Raportit Konsultativ për Strukturën Tarifore të ZRRE-së, në faqe 19 dhe 20 të raportit”, thuhet në reagim.