Ndeshjet e këtij sezoni në garat evropiane, KF Llapi do t’i luajë në Prishtinë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, e jo në stadiumin e tyre të rinovuar, ‘Zahir Pajaziti’.
KF Llapi do të ballafaqohet me ekipin e Malit të Zi, Buducnost në fazën e parë kualifikuese të Conference League.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Mal të Zi me 7 korrik, kurse ajo e kthimit me 14 korrik në Kosovë.
Sekretari i klubit, Muhamet Rexhepi ka konfirmuar se këtë sfidë do ta luajnë në Prishtinë dhe jo në Podujevë – pasi stadiumi i tyre ende nuk është licensuar nga UEFA.
“Stadiumi është në fazën e licensimit dhe ende nuk ka përfunduar, sepse janë duke u zhvilluar punime të ndryshme sa i përket hapësirave mediale, ato të parkingut të stadiumit dhe disa të tjera”, tha fillimisht Muhamet Rexhepi për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai thotë se po presin përgjigje nga UEFA në lidhje me licensim, por nuk paraqet problem edhe pse luajnë në Prishtinë, pasi kanë korrur suksese të mëdha në këtë stadium, ku më herët kanë fituar dy trofe.
“Ne nuk kemi marrë pergjigje nga UEFA as pozitive, as negative, që do të thotë se është në procedurë – besojë vitin e ardhshëm ose ndoshta ndonjë round nëse kualifikohemi më tutje mund të luajmë në “Zahir Pajaziti”, por edhe ne si klub jemi më të interesuar të luajm në “Fadil Vokrri” pasi qe jemi si në shtepinë tonë, aty kemi pasur sukseset më të mëdhaja si klub, kemi fituar dy kupa, pasi stadiumi jonë ende nuk e ka ndriçimin dhe ndeshjet më të mira për publik luhen në mbrëmje”, përfundoi ai.