Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë vizitës së tij në muzeun kombëtar të Madridit në Spanjë “Museo Nacional del Prado”, ka takuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, duke bërë të ditur se Kurti i shprehu mirënjohje Solanës për çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për rolin e z.Solana gjatë dy momenteve përcaktuese për popullin tonë: çlirimin tonë në vitin 1999, si dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Përvoja e z.Solana, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është e çmueshme për Republikën e Kosovës dhe e paharrueshme për popullin e Kosovës”, deklarohet ndër të tjera në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka shkuar të premten në Spanjë për të marrë pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste.
Mediat kanë raportuar lidhur me atë se me çfarë pasaporte kryeministri ka vizituar Spanjën, duke e ditur që ky shtet nuk e njeh Kosovën dhe, rrjedhimisht, as pasaportat e vendit.
Lideri i VV-së mban nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.