“Kosova, korridori i Ballkanit, që po shërben si tranzit i drogës”

“Kosova, korridori i Ballkanit, që po shërben si tranzit i drogës”

Një aksion i zhvilluar të hënën nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e Shqipërisë dhe ato italiane, zuri “në pritë”, disa kamion me rreth 400 kilogramë kokainë, në vlerë të 20 milion eurove, shkruan Gazeta “Enigma”.

Për këtë rast organet e drejtësisë së vendit, ndërmorën një sërë veprimesh, duke arrestuar po ashtu edhe personat që dyshohet se e kryen këtë aksion.

Madje sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve për këtë rast.

LEXO EDHE: Prokuroria merr vendim për të arrestuarit që u kapën me 400 kg kokainë

Por a po shfrytëzohet Kosova si vend tranzit për transportimin e drogës?

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala vlerëson se Kosova, ashtu sikurse edhe Maqedonia janë duke u përdorur si korridor në Ballkan, për bartjen e drogës.  

“Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja. Drogat opioide trafikohen nga vendet prodhuese Afganistani, Pakistani dhe Irani duke kaluar transit në Turqi dhe Ballkan për të shkuar në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Rruga ballkanike ka disa linja që ndryshojnë vazhdimisht, por linja kryesore e trafikut kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një linjë më e vogël kalon nga Maqedonia dhe Kosova dhe përdoret kryesisht për magazinimin dhe ripaketimin e saj” tha ai për Gazetën “Enigma”.

Sipas tij pjesa më e madhe e heroinës të sekuestruar në Evropë e ka origjinën nga Afganistani, Irani dhe Pakistani. “Ka dy rrugë trafikimi heroine në Evropë, korridori ballkanik dhe korridori jugor. Rreth 40 përqind e heroinës globale dhe morfinës të kapur në Evropë ka kaluar nga korridori ballkanik, një prej korridoreve kryesorë për trafikimin e opiateve në botë”, shtoi tutje ai.

LEXO EDHE: Ambasada amerikane pas sekuestrimit të drogës në Lipjan: Fitore e madhe për sundimin e ligjit

Madje, siç thotë ai, e ashtuquajtura pjesa rrugore e korridorit ballkanik të trafikimit përfshin Sirinë dhe Irakun. “Kjo linjë është përdorur kryesisht për kontrabandën e heroinës nga Irani dhe Pakistani për në Evropë, ose direkt ose nga kontinenti afrikan. Përveç këtij korridori trafikantët përdorin edhe të ashtuquajturën linjë të veriut që kalon nga jugu i Kaukazit mespërmes Detit të Zi”.

Ndër të tjera ai theksoi se Policia e Kosovës duhet sa më parë të anëtarësohet në INTERPOOL, hap ky i cili do kishte ndihmuan në rritjen e efikasitetit të punës së PK-së. Edhe njohësi i rrethanave të sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, theksoi se pozita gjeografike e Kosovës, është faktori kyç që ndikon që ajo të shërbej si korridor për transportin e mallrave ilegale. “Kosova si regjion gjeografik është e pozicionuar si ndërmjetëse e komunikimit në mes të Evropës dhe Azisë, në mes të porteve detare të Durrësit, Shëngjinit dhe Selanikut. Ky pozicionim gjeografik në kombinim me brishtësinë e strukturave shtetërore ballkanike e favorizon Kosovën si vend tranzit”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Ai ngriti paralele edhe rreth politizimit të këtij rasti. “E keqja e kësaj pune është se kemi tendenca të politizimit, ndërkohë që policia e Kosovës ka bërë punën e vet. Fakti se operacioni ka pasur karakter ndërkombëtar dhe Policia e Kosovës ka treguar përshtatje në këtë aksion flet për kapacitete të konsoliduara dhe profesionale të PK-së”, shtoi ai.

LEXO EDHE: Ambasadori italian e quan sukses të madh sekuestrimin e drogës: Krenar për bashkëpunim efektiv kundër krimit


Kujtojmë se aksionin e Policisë së Kosovës, e ka lavdëruar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë./Gazeta Enigma.

Related Articles