Më 4 janar Drita e zyrtarizoi trajnerin e ri, Arsim Thaqin, ish-trajnerin e Malishevës i cili iu bashkua klubit gjilanas si zëvendësues i të larguarit, Ardian Nuhiu.
Thaqi e gjen Dritën në pozitën në krye të tabelës duke e ndarë pozitën e parë me FC Ballkanin më 38 pikë pas 18 xhirove. Drita është eliminuar befasishëm nga Kupa e Kosovës nga skuadra e Lirisë së Prizrenit dhe kjo ishte njëra prej arsyet kryesore të largimit të Ardian Nuhiu.
Emërimi i Arsim Thaqit u bë pa shumë zhurmë nga skuadra e Dritës, por trajneri Thaqi në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar se kur kishin nisur bisedimet me drejtuesit e klubit gjilanas.
Sipas Thaqit, emërimi i tij te Drita nuk ishte befasi, pasi bisedimet i kishin nisur me drejtuesit e klubit në muajin dhjetor të vitit 2022.
“Emërimi im si trajner i Dritës nuk është befasi pasi kam pasur kontakte me zyrtarët e klubit edhe më herët pasi jam takuar edhe me ta si kundërshtar në fushën e lojës. Krejt gjërat kanë ndodhur natyrshëm. Kontakti ka nisur para vitit 2023, e kemi pasur një takim shumë profesional dhe i kemi diskutuar të gjitha gjërat”, thotë Arsim Thaqi për Gazetën Enigma.
“Ishin ditët e festave që nuk na lejuan me pas një takim dhe me e bërë një konfirmim që e kanë pritë të gjithë, por thënë ndryshe komunikimi ose negociatat me klubin kanë nisur një muaj para se të zyrtarizohem si trajner”, tregon Thaqi.
Ish-trajneri i Flamurtarit tregon se negociatat kanë shkuar mirë me klubin e Dritës duke bërë që të zyrtarizohet si trajner i kësaj skuadre një ditë para se t’i nisnin përgatitjet për sezonin pranveror në Superligë.
“Gjërat kanë shkuar shumë mirë, unë e kam prezantuar një projekt për Dritën se qysh e shohë në anën profesionale. Ne kemi arrit një marrëveshje të cilën e kemi zyrtarizuar një ditë para se me nisë fazën përgatitore, kjo ka qenë mënyra e komunikimit me Dritën deri te zyrtarizimi i im”, thekson ish-trajneri i Malishevës.
I pyetur se a është presion i dëshëm për Dritën që e ka fokusin vetëm në fitimin e titullit të kampionit pas eliminimit nga Kupa e Kosovës, Thaqi thotë se skuadra e tij është e organizuar me lojtar që kanë përvojë ndërkombëtare.
“Synimi i titullit kampion për nuk është një presion i dëmshëm për një klub që është i organizuar si Drita me lojtarët që ka dhe eksperiencën. Drita tani është një skuadër që ka krijuar një standard duke qenë kampion i Kosoves dhe duke luajtur në garat evropiane si në garën më prestigjioze si Liga e Kampionëve”, vlerëson Arsim Thaqi.
Trajneri Arsim Thaqi thotë se se nëse vazhdon Drita me këtë ecuri në fund të sezonit do të shpallet kampion i Kosovës.
“Është një ekip që e ka eksperiencën e këtij niveli të garimit edhe normal që nuk ish dasht me u kanë presioni i madh, por do të shohim për ta menaxhuar këtë pjesë në mënyrën më të mirë të mundshme. FC Ballkani është një konkurrent shumë i fortë, nëse vazhdojnë gjërat me shku kësisoj qysh kanë ecë deri tani te Drita, në fund të sezonit do të shpallemi kampion. Për shkak se ka kriju strukturë të mirë të lojtarëve, ka fond të mjaftueshëm dhe në fund të sezonit do të dalim kampion”, potencon ai.
Arsim Thaqi është i kënaqur me grupin e lojtarëve që i ka në skuadër. Mirëpo ai nuk e përjashton mundësinë që ta transferoj ndonjë lojtar deri në fund të afatit kalimtar të transferimeve në janar.
“Fillimisht jam i kënaqur me grupin e lojtarëve, për mu të gjithë janë këta lojtarë të pranueshëm, janë lojtarë cilësorë, është një grup homogjen që kanë cilësi të barabarta si lojtarë dhe është një përparsi për mu si trajner. Deri në fund të afatit kalimtar të shohim mundësi nëse ka mundësi me sjellë naj lojtarë. Edhe nëse nuk sjellim ndonjë lojtarë për mu është i mjaftueshëm ky grup me e përfundu këtë sezon”, thotë ai.
Drita është duke u stërvitur nga dy herë në ditë, stërvitjet janë duke i bërë nga dy herë në ditë, kurse më 24 janar do të zhvendosen në Antalia të Turqisë.
“Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë, siç dihet Drita ka krijuar shumë kushte të mira për lojtarë dhe çdo gjë është duke shkuar sipas planit. Në këtë fazë jemi duke stërvitur nga dy herë në ditë, kështu do të vazhdojmë deri më 23 janar, pasi më 24 janar do të zhvendosemi në Antalia” tregon Arsim Thaqi./GAZETA ENIGMA/