Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka thënë se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri nga Kosova e Serbia për të avancuar para propozimin evropian, të njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman.
Borrell në konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtme të BE-së, tha se propozimi evropian është mënyra e vetme për të “thyer rrethin vicioz të krizave”.
Ai ka treguar se ka njoftuar ministrat për vizitën që emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Francës e Italisë, patën në Kosovë e Serbi javën e kaluar.
“Ne kemi cekur se avancimi në këtë proces sjellë benefite të konsiderueshme për të dyja palët. Besoj se është mënyra e vetme për të thyer këtë rreth vicioz të krizave në terren, për ta reduktuar rrezikun për eskalime të mëtutjeshme. Presim përkushtim serioz e gatishmëri për t’u angazhuar në mënyrë aktive dhe konstruktive, e për të avancuar para këtë propozim”, ka thënë Borrell.