Në Kosovë janë aktualisht 223 raste aktive të pacientëve me koronavirus, shkruan Gazeta “Enigma”.
Vetëm gjatë kësaj jave janë raportuar dy vdekje nga COVID-19 në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimeve ditore nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
A pritet të ketë valë të re të COVID-19 në Kosovë?
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me infektologun Salih Ahmeti i cili ka deklaruar se sipas parashikimeve të deritanishme nuk mund të ketë rritje enorme të rasteve në muajt e ardhshëm.
Sipas tij deri sa ka raste pozitive me COVID-19 pa dyshim që pritet të ketë edhe vdekje.
“Ditëve të fundit e kemi pak një rritje të rasteve në krahasim me muajt e mëparshëm. Unë mendoj që sipas parametrave ideologjik dhe sipas parashikimeve të deritashme nuk mund ketë rritje enorme të rasteve së paku në ditët dhe muajt e ardhshëm”, tha Ahmeti.
Tutje ai ka shtuar se “vdekjet janë mundshme deri sa ka edhe infeksione në mesin e njerëzve. Virusi në qarkullim tani është nga Omicron që në manifestim me variantet tjera ka dëme më të buta në aspektin klinik”.
Infektologu Ahmeti ka theksuar se moshat më të rrezikuara janë ato më të shtyra të cilat edhe janë të shoqëruara me sëmundje tjera.
“Sidoqoftë vdekjet janë të pritshme dhe kryesisht moshat më të prekura janë moshat e shtyra të cilat kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese dhe kronike, ku në raste të tilla edhe një infeksion me Omicron e rëndon situatën dhe mund ta përkeqësoj gjendjen shëndetësore”, ka theksuar ai.
“Rastet e vdekjeve janë më shumë tek personat e imonokompromitum, të moshave të shtyra dhe me sëmundje shoqëruese nga më të ndryshmet”, tha Ahmeti për “Enigmën”.
Por, përpos variantit Omicron Ahmeti ka folur lidhur me mundësitë që të ketë ndonjë variant tjetër aktiv në rastet aktive në vend.
Sipas tij “në qarkullim është varianti Omicron, mund të ketë edhe ndonjë variant të ri, por që nuk dihet deri më tani”.
“Sipmtomat tani janë dukshëm më të buta në raport me variantet paraprake. Temperatura, lodhje, plogështi, dhimbje muskujsh, dhimbje fyti, kollë të thatë dhe prekje polmonare shumë më rrallë”, ka përfunduar infektologu Ahmeti.
Ndërsa infektologu Hamdi Ramadani në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë po shkon drejtë një fillimi të një vale të re me COVID-19.
“Siç po shihet numri i të infektuarve me COVID-19 ditëve të fundit është duke u rritur, po ashtu edhe numri i rasteve aktive me koronavirus në vend, që tregon se situata me pandeminë në Kosovë po shkon drejtë një rritje ose një fillimi të një vale të re me COVID-19”, tha Ramadani.
Sipas tij bazuar në shifrat e fundit me raste aktive në vend duhet të kemi parasysh se në javët në vazhdim pritet të ketë rritje të rasteve pozitive.
“Duke pasur parasysh rastet në ditët e fundit dyshojë se edhe në ditët në vazhdim pritet të kemi raste me të infektuar edhe më shumë se tani”, ka deklaruar Ramadani për “Enigmën”.
Tutje ai ka theksuar se pandemia e COVID-19 vazhdon të jetë prezente në Kosovë.
“E keqja më e madhe është se shumë qytetarë, por dhe institucionet kanë menduar se COVID-i është tejkaluar dhe nuk do të jetë më e pranishme. Por pandemia e COVID-19 është ende prezentë në vendin tonë dhe në shumë vende në botë”, pohoi ai.
Tutje ai theksoi se “Në rritjen e rasteve ka ndikuar edhe mos vaksinimi me dozat e fundit dhe dozat përforcuese kundër COVID-19 sipas kalendarit që është nga udhëzuesit e OBSH-së. Pra, fare pak po bëjnë vaksinimin që të fitohet imunizimi specifik që ndikon në uljen dhe shtypjen e pandemisë ose koronavirusit”, tha Ramadani për “Enigmën”.
Brenda një jave raportohet për dy vdekje nga COVID-19 në Kosovë
Rastet e fundit të vdekjeve nga COVID-19, Ramadani i ka cilësuar si shqetësuese duke pasur parasysh që ka vaksina të mjaftueshme për imunizim dhe ekipe të vaksinimit të mirë trajtuara që do të kishin ndikuar në ata persona që kanë shëndet më të dobët dhe me sëmundje kronike.
“Siç e dini në javën e fundit ka pasur edhe raste me vdekje, kjo është tepër shqetësuese kur ka vaksina dhe ekipe të vaksinimit të mirë trajtuara për të bërë vaksinimin dhe imunizimin te qytetarët e veçmas te grup moshat me shëndet të dobët, me sëmundje kronike e shumë sëmundje të tumoreve”.
Sipas tij duhet një mobilizim më i madh në vetë përgjegjësi dhe të bëhet thirrje për vaksinim.
Ramadani bënë thirrje që t’i përmbahemi masave kundër përhapjes së COVID-19 në vend.
“Duhet t’i përmbahemi masave kundër pandemisë, pra të përdorim maska, të kemi distancë fizike, higjiena, të ikim nga vendet me frekuenca të mëdha dhe të mbyllura”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave nga koronavirusi janë shëruar 20 persona dhe 15 të tjerë janë të hospitalizuar./GAZETA ENIGMA/