Pas përhapjes së pandemisë me COVID-19 në Kosovë, qytetarët dhe bizneset u përballën me probleme të shumta financiare.
Për t’iu dalë në ndihmë, disa komuna morën vendim që personat e prekur me COVID-19 të ndihmohen me një shumë të konsiderueshme të të hollave dhe bizneset të subvencionohen për humbjet që kanë pasur pas mbylljes.
Komuna e Prishtinës, ndër komunat e para mori vendim që t’i ndajë nga 50 euro për çdo të prekur me Covid derisa për pensionistët ndau nga 100 euro.
Nënkryetari i kësaj Komune, Muhedin Nushi, për Front Online, ka treguar se deri më tani kanë aplikuar 28,887 qytetarë për subvencionimin që kanë qenë të infektuar me COVID-19.
“Prishtina ka aprovuar dy lloje të subvencioneve gjatë vitit të kaluar por subvencioni për të gjithë të infektuarit me COVID-19 deri më tash në përgjegjësi kemi pasur 40,186 infektime, por ne total kemi pasur 28,887 qytetarë që kanë aplikuar për subvencionime që kanë qenë të infektuar me covid-19”.
Ai në një prononcim për Front Online ka treguar se në muajin dhjetor të 2020-tes janë bërë pagesat për 437 qytetarë, derisa dy pagesa të tjera janë kryer në janar.
“Këto janë shifrat e sakta për COVID-19 në dhjetor të vitit 2020 gjithsej janë paguar 437 qytetarë në vlerë totale prej 22,800 euro, ndërsa në janar janë bërë dy pagesa në fillim të janarit dhe në përfundim të janarit , gjatë janarit kanë qenë të paguar 7,491 qytetarë në shumë totale prej 447,700 euro” shtoi Nushi.
Nënkryetari Nushi, tha se pagesat për muajin shkurt, mars dhe prill nuk janë përfunduar për shkak të disa procedurave burokratike.
“Në muajin shkurt, mars, dhe prill nuk mundën me i përfundu, por i kemi deklaruar se janë disa procedura burokratike duhet të bëhet ajo bartja e mjeteve të buxhetit nga mbetja e vitit të kaluar edhe tek pas përfundimit të mbledhjes së kuvendit ai vendim dërgohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. MAPL e jep vlerësimin e ligj mërisë prej aty kalon në Ministrin e Ekonomisë dhe Financave ndërsa thesari i evidenton ato pozicione buxhetore të këtij viti dhe pastaj fillon pagesa, kjo procedurë paraprake të cilën e ceka ka përfunduar në maj dhe ne në maj kemi vazhduar dy subvencionet me i paguar prap ”, tha tutje ai për Front Online.
Nushi tregoi se edhe gjatë muajit maj 7,122 qytetarë janë kompensuar në vlerë prej 486,300 euro.
“Këto të dhëna janë nga dita e premte e javës së kaluar me datë 25.05.2021 dhe gjithsej deri më tash janë subvencionuar 15 mijë e 50 qytetarë në shumën totale prej 938,800 euro në përqindje bazuar sa kanë aplikuar deri më tash janë 52% të qytetarëve”, tha Nushi.