17 milionë e 312 mijë e 564 euro i ka kushtuar shtetit të Kosovës pagesa për avokatët e të akuzuarve në Hagë nga Gjykata Speciale, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet e vizitave të familjarëve.
Kjo është bërë e ditur për Front Online nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas të dhënave të MD-së, për mbrojtjen e ish Presidentit Hashim Thaçi, që nga viti 2021, janë shpenzuar vetëm për avokatë plotë 2.2 milionë euro. Ndërsa, ndryshe prej të tjerëve, familjarët e Thaçit nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për kompensim të shpenzimeve për bileta të udhëtimeve dhe vizita familjare.
Ndërsa, për ish- kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, që nga viti 2021 e deri më tani, për mbrojtjen e tij, Kosova i ka shpenzuar mbi 2.6 milionë euro. Prej kësaj shume, janë 44 mijë e 190 euro vetëm për bileta e shpenzime familjare.
2 milionë e 281 mijë, janë shpenzimet për Kadri Veselin.
Në këtë shumë hynë, përveç shpenzimeve për avokatët, edhe shpenzimet për vizitat familjare dhe bileta udhëtimi, e që kap shifrën afër 22 mijë euro.
Për ish-Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, shteti ka shpenzuar mbi 2.6 milionë euro. Edhe këtu përfshihen shpenzimet për vizita si dhe biletat të familjarëve të Selimit, që kap shumën mbi 46 mijë e 400 euro.
Për ish-komandantin Salih Mustafa nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 1 milion e 887 mijë e 734 euro. Përveç avokatëve që janë paguar, në këto shpenzime janë 15 mijë e 62 euro për bileta dhe vizita familjare.
Ndërsa, për Nënkryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj që nga viti 2021 e deri më tani, shteti i Kosovës pagoi mbi 2 milionë e 84 mijë euro. Përveç avokatëve, në këto shpenzime përfshihen vizita e familjarëve duke kapë vlerën 24 mijë e 492 mijë euro.
Sipas të dhënave që Front Online ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, për Hysni Gucatin Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, shteti ka paguar mbi 2 milionë e 248 mijë euro. Vetëm për vizita e bileta për udhëtim të familjarëve të Gucatit janë shpenzuar, 40 mijë e 464 mijë euro.
Për shpenzime përgjatë tri viteve radhazi, MD për Front Online dhënë detaje të shpenzimeve edhe për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Sipas tyre, shteti për Shalën duke përfshirë avokatët dhe shpenzimet e familjarëve të tij që e kanë vizituar në Hagë, kap vlerën 1 milion e 179 mijë e 201 euro.
Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur më 3 prill.
Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Ndryshe prej tyre, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.
Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Kurse ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar kur supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra.
Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.