Çerkini: Qeveria të mos diskutoj me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve

Çerkini: Qeveria të mos diskutoj me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve

Sot në Bruksel do të takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, shkruan Gazeta “Enigma”.

Takimi i sotëm do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, i cila tha se nuk pret asgjë nga takimi i sotëm për personat e zhdukur. Çerkini tha se nuk pret rezultate nga ky takim.

“Mbi të gjitha ka me u diskutua, nuk është tash që po diskutohet por po diskutohet kogja shumë. Rezultate nuk ka. Pritet me njëfarë dakordimi apo një aneks të nënshkruar prej dy palëve”, tha Çerkini për Gazetën “Enigma”.

Për të arritur rezultate nga ky takim i pari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” thotë se Qeveria e Kosovës duhet të qesë kushte dhe mos të diskutoj për çështje të tjera pa i kthyer ata që na kanë marrë me dhunë.

“Qeveria duhet të qesë një kusht që mos të bëjnë më diskutime as për targa e as për Asociacionin dhe asnjë bisedë pa najë kthyer ata që na kanë marrë me dhunë prej Republikës së Kosovës”.

Tutje ai ka shtuar se pa marrë parasysh se çfarë do të ndodh në këtë takim rezultate nuk do të ketë.

“A duhet të nënshkruhet apo jo këtë nuk e di. Por a do të ketë rezultate, unë nuk mendoj se do të ketë rezultate”, deklaroi ai.

Sipas Çerkinit “kurrë nuk bëhet marrëveshje me Serbinë pa një presion të ndërkombëtarëve. Mos të presim sot që ka me u marrë një vendim për realizimin e personave të pagjetur”. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles