Veç pak orë para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministri shqiptar Edi Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme.
Orët e fundit kur Qeveria e Kosovës tashmë ishte afër përgatitjeve të fundit për këtë takim, Rama dha lajmin se e ka anuluar këtë mbledhje.
Tha se për këtë gjë e ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se arsyet lidhen me përplasjen e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, ka thënë Edi Rama.
Ai ka deklaruar se kjo situatë po çan marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë euro-atlantike.
“Kjo situatë po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlanitke, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit po vë gishtin te butoni për planin e aksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë tutje ai.
“Nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, por kjo nuk është e mundur”, ka thënë ai.