Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në dialogun me Kosovën, “Serbia është e gatshme të flasë për zgjidhje kompromisi, por kurrë për poshtërimin e Serbisë”.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se dialogu do të vazhdojë për pak ditë.
Pas takimeve me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, Vuçiq ka thënë se “Serbia dëshiron t’i zgjidhë konfliktet nga e kaluara dhe të mos ua lërë ato fëmijëve tanë”.
“Dialogu do të vazhdojë për pak kohë. Po flasim për ditë, jo javë. Serbia do t’i përgjigjet ftesës për të shkuar në Bruksel. Jemi të gatshëm të flasim. Jemi gjithmonë të gatshëm të flasim për zgjidhje kompromisi, por s’jemi kurrë të gatshëm që të flasim për poshtërimin e Serbisë”, ka thënë ai, raporton AP.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me Vuçiqin për pak ditë, në takimin e parë Kosovë-Serbi që nga fundi i vitit të shkuar.