14-vjeçarja me origjinë shqiptare, Adrijana Sherry Rizvani Mina, ka vdekur në mënyrë tragjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e një aksidenti që ndodhi në fundjavë.
Adrijana ishte njëra prej katër adoleshentëve që ndodheshin në veturën Hyundai Sonata, e cila ishte e vjedhur. Ata u përplasën me një Ford Escape, shkruan “Republican American”.
14-vjeçarja shqiptare ka dalë jashtë mjetit si pasojë e përplasjes. Ajo vdiq në spital si pasojë e plagëve të rënda. Policia thotë se vetura ku udhëtonin adoleshentët kaloi rrugën në semafor të kuq dhe në kryqëzim u përplas me Fordin.
Dy 15-vjeçarë të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë si pasojë e kësaj ngjarje. Një vajzë 15-vjeçare mori lëndime më të lehta dhe doli nga spitali pas aksidentit.
Ceremonia mortore për 14-vjeçaren do të zhvillohet sot në qendrën shqiptaro-amerikane kulturore dhe islamike në Waterbury.