“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim” – ishte mesazhi që u interpretua nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në Bled të Sllovenisë, kur u fol për komunitetin shqiptar në Serbi, shkruan Gazeta Enigma.
Një deklaratë e tillë shpërfaq më së miri pozitën në të cilën ndodhen tash e sa vite shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanocit.
Për sfidat dhe shkeljet që iu bëhen çdo ditë atyre nga shteti serb, ka folur në një intervistë për Gazetën “Enigma”, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa.
Ai ka potencuar se çfarëdo kërkese që serbët e komunave veriore në Kosovë kanë në bisedimet në Bruksel, të njëjtat duhet t’i atribuohen edhe shqiptarëve të Luginës.
“Secilës qeveri në Republikën e Kosovës në të kaluarën por edhe kësaj të sotit u kemi kërkuar: çfarëdo që Serbia në procesin e dialogut kërkon për serbët e tre komunave në veri të Republikës së Kosovës të ofroj për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanocit. Kjo në fakt edhe pse për ne është realizim i vetëm pjesës së parë të referendumit të 1 e 2 marsit 1992 do të ishte një zgjidhje fatlume por jo e mjaftueshme për shqiptarët në tre komunat e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanocit”, ka thënë ai.
Tutje ai shton se kjo kërkesë “në tavolinën e bisedimeve në Bruksel mes Kosovës e Serbisë do të ishte armë politike proporcionale. Me këtë delegacioni serb do të frenohet në kërkesa mbase edhe do të lëvizte edhe mbrapa”, thekson ai. Por që sipas Mustafës, një gjë e tillë nuk po ndodhë ende.
Mustafa thotë se “Ne si politikë shqiptare në Luginë të Preshevës po ua ofrojmë këtë armë politike ekzekutivit kosovar që t’a përdorin me mjeshtri dhe të dalin faqebardhë nga bisedimet e Brukselit”.
Ai shton se asnjë lloj sfere e jetës shoqërore e politike nuk është e kënaqshme për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanocit.
Të drejtat disproporcionale midis shqiptarëve të Luginës dhe serbëve të veriut të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, po ashtu thotë se shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk gëzojnë të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar për t’u identifikuar si komb, teksa ngriti si paralele gjendjen e serbëve në veri të Kosovës.
“Serbët në veri të Republikës së Kosovës shihni sa flamuj kanë në territorin e tyre mbase edhe më shumë se banorë. Ne në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk kemi të drejtë të përdorim tekstet mësimore të shkollimit fillor e atij të mesëm botimet e shtëpive botuese në Republikën e Kosovës. Serbët në veri të Kosovës i përdorin tekstet mësimore që botohen në Beograd”, shtoi ai gjatë intervistës.
Tutje ish kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka nënvizuar edhe privimin nga shkollimi universitar në gjuhën amëtare për shqiptarët e Luginës.
“Sa i përket shkollimit universitar, serbët e veriut të Republikës së Kosovës kanë universitetin e Prishtinës në Mitrovicën veriore. Shqiptarët e Luginës së Preshevës jo që nuk kanë të drejtë në gjuhën e tyre të studiojnë e në vendin e tyre autokton por nuk u njihen as diplomat universitare të universiteteve e kolegjeve universitare në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Një tjetër problematik sipas tij është që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoci, ç’regjistrohen për çdo ditë nga regjistri civil duke humbur të drejtën e të qenurit qytetar i autoktonisë së tyre.
“Serbët e veriut të Republikës së Kosovës nuk e kanë po këtë shqetësim. Shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk arrijnë të punësohen në bazë të meritokracisë në institucione shtetërore bazuar në përqindjen e popullsisë në komuna gjersa serbët në veriun e Republikës së Kosovës lëshojnë punën në institucione shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka potencuar tutje Mustafa.
Ai ndër të tjera potencoi se “shteti serb në mënyrë flagrante ndërhyn në zgjedhjet lokale duke instaluar udhëheqësit lokal servil me shtetin serb në komunat me shumicë shqiptare e sidomos në Preshevë e Medvegjë gjersa serbët në veri të Republikës së Kosovës nuk duan as të dalin në zgjedhje edhe përkundër legjitimitetit të katër kryetarëve të komunave në veri shteti i Kosovës për çdo ditë i thërret që të ndodhin zgjedhjet duke sakrifikuar katër kryetarët që kanë mandat katërvjeçar”.
Si zgjidhje të vetme për këto probleme ai e sheh bashkimin e Preshevës, Medvegjësdhe të Bujanocit me Kosovën. / Gazeta Enigma.