Dështon votimi i një marrëveshje ndërkombëtare pasi s’ka kuorum

Dështon votimi i një marrëveshje ndërkombëtare pasi s’ka kuorum

Ka dështuar të votohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Në sallë ishin 82 deputetë të mjaftueshëm për të nisur procedurën e votimit, por jo të gjithë morën pjesë në votim.

Kryetari Glauk Konjufca tha se mungon kuorumi, prandaj kjo pikë do të votohet në seancë tjetër.

“Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo i bartet një seance të re”, tha Konjufca.

Këtë marrëveshje refuzoi ta votojë Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërsa ai i LDK-së ishte pro.

Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se meqë Kosova është nën masa të BE-së e SHBA-së do të ishte paradoksale të votohej marrëveshja.

“Republika e Kosovës tashmë është nën sanksione si nga BE ashtu edhe nga SHBA dhe vështirësimit dhe rritja e këtyre sanksioneve paralajmërohet se vetëm sa do të zgjerohet dhe jo të zvogëlohen. Prandaj, votimi i një marrëveshje të tillë do të jetë paradoksale sepse s’do të arrijë të realizohet si e votuam si s’e votuam”.

Ndërkaq, deputeti Avdullah Hoti foli në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe tha se do ta votojnë marrëveshjen meqë kanë pezëm për mënyrën se si e menaxhon vendin Qeveria Kurti dhe jo me projektet e rëndësishme për vendin.

“Ky projekt ka 7-8 vjet që ka nisur të realizohet, më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit, së paku për pjesën e financimit. Kur e dëgjova kryetarin e Komisionit për Buxhet që bëri thirrje ta lëmë anash pezmin dhe ta votojmë. Ne pezmin e kemi me mënyrën se si jeni duke e menaxhuar vendin, si i keni sjellë sanksionet, por nuk kemi pezëm me projektet e rëndësisë kombëtare. Kjo linjë hekurudhore e bën Kosovën pjesë të rrjetit rajonal dhe më gjerë të hekurudhave. Prandaj, ne e mbështesim”.

Related Articles