Midis tensioneve në veri – a ka kuptim vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi?

Midis tensioneve në veri – a ka kuptim vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi?



Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet në vitin 2011, tre vjet pasi Kosova ka shpallur pavarësinë, shkruan Gazeta Enigma.

Që nga atëherë, Kosova dhe Serbia, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dhjetëra marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Por zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka mbetur vetëm në letër, kryesisht për shkak të Serbisë, e cila nuk pranon t’i zbatoj ato.

Së fundmi dy shtetet – përmes atij që njihet si propozim i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve – janë dakorduar sërish që t’i zbatojnë “të gjitha marrëveshjet e dialogut nga e kaluara”.

Takimi fundit i 14 shtatorit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuciq, nuk pati fryte të reja e as zbatim të marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Borrell tha se Kurti nuk është i gatshëm t’u japë më shumë autonomi dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe

Kryeministri Kurti kishte këmbëngulur në Bruksel, se para dhënies së autonomisë për komunat serbe në Kosovë, Serbia duhet që ta njohë Kosovën, e si pasojë as ky takim nuk pati rezultat.

Grupet kriminale të vendosura në veri që janë kundër paqes dhe integritetit territorial të Kosovës së pavarur, kanë zgjedhur mjetet nga më ekstremet për t’i luftuar ato.

Sikur nuk mjaftuan sulmet ndaj gazetarëve dhe fjalës së lirë, e edhe ndaj KFOR-it, së fundi, grupi terrorist i vendosur në veri të vendit sulmoi policinë e Kosovës ku vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi një polic tjetër.

E që nga këto zhvillimet në veri, është krijuar një situatë e re në dialog.

Por a duhet Kosova të rikthehet në tryezën e diskutimeve ‘sy më sy’ me shtetin serb?


Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se pa u qartësuar se si ndodhi agresioni serb në Kosovë nuk duhet të ketë dialog mes dy vendeve.

 “Mendoj që asnjëra palë s’është e gatshme të kthehet në dialog. Serbia mund të kthehet në dialog por jo për të arritur në dialog, sic ka bërë vazhdimisht. Ndërsa nga pala kosovare, dialog nuk ka dhe nuk duhej të kishte në asnjë mënyrë, sepse në rradhë të parë duhet të qartësohet agresioni serb në Kosovë. Kosova duhet ta hetojë por duhet edhe një hetim ndërkombëtarë dhe të bië në konkluzion se Serbia zyrtare ka qenë prapa kësaj”, tha ai.

Baraliu thotë se terroristët që e kryen sulmin në Banjskë, duhet të vinë para organeve kompetente në Kosove dhë të gjykohen, e tek pastaj të formohet një formule e re dialogu. Baraliu si pikë të parë të këtij dialogu të ri, e sheh njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës nga Serbia.

“Serbia duhet që terroristët t’i ekstradoj në Kosovë sepse këtu është bërë vepra penale, dhe këtu duhet të ju bëhet gjykimi, e pastaj të bëhet ri-konfigurimi i dialogut, e pika e parë e këtij dialogu duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia de-juro”, shtoi ai.

Tutje, Baraliu potencon se Serbia është ajo që ka dështuar në dialog. Sipas tij, tash Kosova ka një përfaqësim më dinjitoz në dialog dhe nuk është një shtet që thotë vetëm po, sic kanë bërë më herët.

“Kosova nuk ka dështuar në dialog, Serbia është ajo që ka bërë obstruksion vazhdimisht, edhe më herët edhe tani. Kosova ka pranuar gjitha marrëveshjet dhe ka qenë një “Yes Man”, por tani nuk është më ashtu. Kosova është më dinjitoze dhe qëndron mbi sovranitetin e saj, dhe duhet ta mbroj edhe më shumë tash, sepse gjitha argumentet janë në anën e Kosovës” tha Baraliu.

Baraliu tha se BE ka qenë e njëanëshme dhe përbuzëse ndaj Kosovës në dialog.

Në anën tjetër, analisti politik, Shkëlzen Maliqi, tha se Kosova duhet kthyer në dialog dhe duhet ta vazhdoj atë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.

“Kosova duhet të kthehet në dialog, nuk ka alternativë. Konditat kanë ndryshuar dhe duhet pasur casje edhe me strategjinë e partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, pasi shpesh janë anashkaluar këshillat dhe kërkesat e tyre që problemi të zgjidhet në tavolinë dhe të arrihet kompromisi”, tha ai.

Sipas Maliqit, kryeministri Kurti është ai që ka vonuar arritjen e marrëveshjeve me palën serbe shkaku i kërkesave të tij.

“Dihet cilat janë parakonditat, por kryeministri jonë shkonte atje me disa kërkesa që e prolongonin zgjidhjen. Tash është e qartë për obligimet që i ka Kosova dhe kryeministri Kurti që i ka pranu si pjesë të marrëveshjes. Duhet të kryhen me gjithë ato kufizime që i ka parashtruar Gjykata Kushtetuese dhe le të pajtohen edhe SHBA-të që nëse Asociacioni krijohet, le të jetë në kornizat e kushtëtutës së Republikës së Kosovës,” shtoi ai.

Tutje, Maliqi tha se ende nuk ka një epilog final mbi sulmin e Banjskës. Sipas tij, serbët të unifikuar duhet të dalin me një deklaratë mbi Asociacionin dhe se çka kërkojnë nga ai.

“Ende nuk dihet arsyeja e tentim-agresionit serb në veriun e Kosovës. Beogradi zyrtar dhe serbët e veriut duhet të dalin me një deklaratë të përbashkët me Asociacionin dhe ta dimë ku qëndrojmë”, shtoi ai.

“Përndryshe, konflikti mbetet i hapur dhe situatën në veri dikush duhet ta menaxhoj. Nëse serbët në veri nuk pajtohen me kushtet, atëherë mbetet i hapur rreziku i një konflikti permanent. Ose ta merr kontrollin KFOR-I ose ndonjë palë e tretë”, përfundoi Maliqi. /Gazeta Enigma/

Related Articles