28 Nëntori ende s’është në kalendarin e festave zyrtare, ku mbeti bashkimi kombëtar i premtuar nga Kurti?

28 Nëntori ende s’është në kalendarin e festave zyrtare, ku mbeti bashkimi kombëtar i premtuar nga Kurti?

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë tani e sa vite mungon në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dikur pati premtuar se me ardhjen e tij në pushtet 28 Nëntorin do ta bënte festë zyrtare, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ligji për Festat Zyrtare i rendit 11 festa zyrtare dhe 8 ditë memoriale. 28 Nëntori renditet në mesin e ditëve memoriale.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisaarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me profesorin universitar, Agron Hoti, i cili tha se kjo po ndodh pasi pushteti aktual ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar nën arsyetimin se atë nuk po na lejuaka Kushtetuta e Kosovës.

Tutje ai ka theksuar se ky pushtet nuk e ka fare në plan futjen e 28 Nëntorit në kalendarin e festave zyrtare.

“Vetë fakti që pushteti aktual ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar nën arsyetimin se atë s’na e lejuaka Kushtetuta e Kosovës, pastaj vetë fakti që ky pushtet s’e zë më fare në gojë temën e bashkimit kombëtar, argumenton mjaftueshëm që ky pushtet s’e ka fare në plan futjen e 28 Nëntorit në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës”, tha Hoti. Sipas Hotit Qeveria aktuale bashkimin kombëtar e ka keqpërdorur vetëm sa për të ardhur në pushtet dhe asgjë më shumë. “

Kjo tregon që pushteti aktual bashkimin kombëtar e ka keqpërdorur vetëm sa për të ardhur në pushtet dhe asgjë më shumë. Personalisht mendoj që 28 nëntori duhet të futet  kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, sepse ne edhe ashtu e festojmë këtë festë për bashkimin kombëtar”, tha Hoti për “Enigmën”.

Në fund profesori universitar ka bërë një pyetje në lidhje me caktimin ose jo caktimin e festës së flamurit si festë zyrtare në vendin tonë. “Nëse gjithandej Kosovës po e përdorim flamurin kombëtar shqiptar, pse atëherë mos ta kemi 28 nëntorin festë edhe të Kosovës?”.

Në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2015, Albin Kurti, thoshte se Qeveria e ka bërë 28 Nëntorin festë të rendit të dytë.

Ndërsa, Albulena Haxhiu, asokohe kishte deklaruar Qeveria ka hequr dorë moti nga të gjitha vlerat kombëtare, dhe se me ardhjen e LVV në pushtet kjo ditë do të kthehet përsëri në kalendar si festë zyrtare.

Kalendari i Festave Zyrtare

Festat zyrtare në Kosovë të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Pashkët Katolike, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Pashkët Ortodokse, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël dhe Krishtlindjet Katolike.

Në kuadër të festave zyrtare mungon 28 Nëntori festa e katërfishtë e shqiptarëve, Kthimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë, më 28 nëntor të vitit 1443, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, lindja e Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1997.

Përveç këtyre festave, sipas ligjit, janë të përcaktuara edhe disa ditë të tjera memoriale për të cilat ekzekutivi vendos që të pushohet.

Por pavarësisht se sot nuk është ditë pushimi, shumica e institucioneve publike kanë vendosur për pushim, përfshirë edhe një pjesë të sektorit privat/ GAZETA ENIGMA/

Related Articles