Kosova thotë se Rajska Banja është e saj, për Serbinë ajo u pushtua

Kosova thotë se Rajska Banja është e saj, për Serbinë ajo u pushtua

Për qëllimin përfundimtar të kompleksit turistik Rajska Banja në veri të Kosovës do të vendosë Ministria e Brendshme e vendit, tha të mërkurën kreu i saj, Xhelal Sveçla.

Një ditë më herët, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), me ndihmën e forcave policore, e mori nën kontroll këtë kompleks.

AKP-ja pretendon se ai gjendet në tokën që është në pronësi të kompanisë Trepça Standard nga Mitrovica e Veriut, e cila është nën administrimin e saj.

Trepça Standard, bazuar në një hulumtim të Institutit për Zhvillim dhe Çështje Evropiane (RIDEA) të vitit 2019, ka qenë më herët përgjegjëse për përgatitjen e ushqimit për punonjësit e minierës Trepça në veri të Kosovës, si dhe për aktivitetet e tyre rekreative, kulturore dhe edukative.

Nga AKP-ja i thanë REL-it se vendimi për marrjen e kompleksit pasoi kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për ta marrë objektin në menaxhim.

Përndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit i menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore në Kosovë dhe pohon se është pronarja e vetëme e këtyre aseteve.

Kompleksi Rajska Banja gjendet në Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Fshati Banjskë mori vëmendje të posaçme në shtator të këtij viti, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrje në sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në ambientet e kompleksit Rajska Banja, Policia e Kosovës arrestoi atëkohë dy persona për armëmbajtje pa leje.

Burime në Qeverinë e Kosovës konfirmuan për REL-in se institucionet do të vazhdojnë me aksione për rikthimin e pronave në veri, por nuk specifikuan saktësisht se për cilat prona bëhet fjalë./rel/

Related Articles