Që nga fundi i vitit që lamë pas Kosova është duke u përballur me një fluks të madh të pacientëve me gripin sezonal, por edhe me COVID-19, shkruan Gazeta “Enigma”.
Fluks i madh i pacientëve me gripin sezonal, vetëm në QKMF për 24 orët e fundit kanë frekuentuar rreth 890 pacientë tha Kamberi.
Përveç gripit sezonal në Kosovë aktualisht ka edhe raste pozitive me COVID-19.
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, tha se në Gjilan aktualisht janë 11 raste pozitive me COVID-19, por që këto nuk janë shifra të sakta pasi që shumica e pacientëve po refuzojnë të testohen për COVID-19.
“Kemi raste me COVID-19. Por nuk është se po bëhet testimi i të gjithë të dyshuarve me COVID, për arsye se shumica e pacientëve po refuzojnë të testohen”, tha Kamberi.
Tutje ai ka njoftuar se “prej 01.01.2024 deri më sot janë testuar 70 pacientë, nga ta 11 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19”.
Kamberi ka dhënë detaje edhe për simptomat e gripit sezonal edhe të COVID-19.
“Kokë-dhimbja e madhe, ethe dhe temperaturë e madhe, këto janë simptomat më tipike të COVID-19, ndërsa simptomat për gripin sezonal janë: temperaturë, ethe, kokë-dhimbje, dhimbje fyti dhe trupit, lodhje, plogështi, humbje oreksi”, tha Kamberi për “Enigmën”.
Sipas tij ky grip ka prekur të gjitha grup-moshat.
“Kemi pacientë të të gjitha moshave që janë atakuar nga gripi. Sa i përket testeve për COVID kemi mjaftueshëm”, ka përfunduar Kamberi. /GAZETA ENIGMA/