Kosova me 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, raporton Gazeta Enigma.
Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh.
Nga ora 09:15, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta presë në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në orën 10:00 Kuvendi do të nisë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.
Parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe Policisë do të nisë në orën 12:00 nga objekti i Qeverisë deri te shesh “Zahir Pajaziti” në kryeqytet. Pritet të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.
Në orën 14:00 në Ferizaj do të zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.
Tre liderët e shtetit, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari do të kenë pritje shtetërore në nder të 25-vjetorit. Kjo ceremoni nis në orën 17:00.
Nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të ketë koncert festiv publik.