“Pikë e pesë” po i bënë partitë opozitare dhe partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, Projektligji për Zyrtarët Publik, i cili rrezikon sërish të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Gazeta Enigma.
Përkundër pakënaqësive që partitë opozitare, PDK, LDK e AAK i kanë ngritur qysh në shqyrtim të parë në Kuvend të këtij projektligji, komentet sipas tyre nuk janë adresuar nga Qeveria as në lexim të dytë.
Duke arsyetuar vendimin e partisë së tij për ta dërguar sërish në Kushtetuese projektligjin në fjalë, deputeti nga radhët e AAK-së Besnik Tahiri, për Gazetën Enigma tha se në formën aktuale projektligji kontribuon në politizimin e administratës.
“Procedura e miratimit tanimë nëpër komisione vetëm sa ka përfunduar. Provizionet të cilat kanë qenë diskutabile dhe me të cilat janë kundërshtu prej të gjithë akterëve politikë dhe akterëve ndërkombëtarë nuk janë larguar nga ligji. Fatkeqësisht, edhe provizioni i cili e lejon politizimin e administratës, që nënkupton mandatin e udhëheqësve të mesëm dhe të lartë është në atë ligj, që me e thjeshtësu për gjuhën e popullit, i bjen që kjo Qeveri, tanimë e ka në dorë edhe mundësinë e partizimit ose krijimit të formës ligjore të politizimit të administratë shtetërore. Ajo çka duhet të thuhet është se ky ligj po ashtu është duke e normu ushtruesin e detyrës, si kulturë qeverisëse që ka qenë tash e tri vite”, thotë Tahiri
Ai shtoi se “Sot për sot, Kosova, respektivisht administratat shtetëroret të zyrës së kryeministrit, të presidencës dhe të Kuvendit të Kosovës, udhëhiqen nga sekretarët të cilët janë ushtrues detyre. Tanimë me ligj po iu mundësohet që një ushtrues detyre, të jetë një vit , që nënkupton plus një vit, edhe kjo e normon mundësinë e keqpërdorimit politik, mundësinë e presionit politik mbi administratën e shtetit, pavarësinë e administratës së shtetit, si dhe mundësinë e korrupsionit”, tha Tahiri tutje.
E për pasojë sipas Tahirit nuk ka rrugë tjetër, përveç kontestimit të këtij projektligji sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Fatkeqësia është se provizionet që janë problematike, jam i bindur se prapë do të kontestohen në Gjykatë Kushtetuese, për shkak se nuk është trajtu, dhe këtu është duke humbur Kosova, për shkak se po i humb siguria juridike secilit zyrtarë të mesëm dhe të lartë në administratë të shtetit, dhe nuk po mund të ecim përpara me reformat, të cilat do të duhej të ishin reformat kryesore në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian”, u shpreh Tahiri.
Ai tutje tha se pret edhe nga deputetët në pozitë që të reflektojnë mbi këtë ligj.
“Unë pres që ky ligj të mos kalojë, për shkak se unë besoj që një numër i caktuar i deputetëve do të reflektojnë jo në funksion të partisë, por në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së administratës shtetërore”.
Megjithatë, nëse ligji kalon në lexim të dytë dhe si i tillë nëse vlerësohet kushtetues edhe nga vetë Gjykata, Tahiri ka shpresë për mosmiratim edhe nga institucioni final, Presidenca.
“Presidentja Vjosa Osmani, në një moment, siç e dini, një ligj nuk e ka nënshkru. Ne si grup parlamentar do ta njoftojmë presidenten paraprakisht për problemet që i ka ky ligj dhe për rrjedhojë presim edhe prej saj një përfaqësim të drejtë në funksion të administratës së shtetit. Ajo tash është presidente, por më herët ka qenë pjesë e komisioneve të legjislacionit, është juriste, ajo e din shumë thjesht sa i rrezikshëm është ky ligj. Kështu që ne presim një reagim të përgjegjshëm”, deklaroi Tahiri.
VV-ja: Janë adresuar cështjet e ngritura nga Kushtetuesja
Me konstatimet e Tahirit, nuk pajtohet deputeti i VV-së, Valon Ramadani i cili është edhe Kryetar i Komisionit për Administratë Publike. Ai për Gazetën Enigma ka thënë se gjitha opinionet e Gjykatës Kushtetuese janë adresuar në projektligjin e ri.
“Opozita e ka pak një problem që nuk po mundet me gjet kohë me i lexu amandamentet edhe vendimet e gjykatës. Ne e patëm projektligjin në komision, është duke u sillë diku që dy apo tre muaj nëpër komision ky plotësim/ndryshim. Ato çka i ka kërku Gjykata Kushtetuese, ne i kemi plotësua krejt. Dy amendamente janë shtesë, e që është me të drejtë. Tash ajo mundet me u dërgu në Gjykatë Kushtetuese , është e drejtë e deputetëve, por ne jemi të bindur që versioni aktual është brenda Kushtetutës”, tha Ramadani.
Sa i përket çështjes së ushtruesit të detyrës, e cila u përmend si diskutabile nga deputeti Tahiri, Ramadani tha se atë e kanë lënë ashtu siç ka qenë, gjashtë plus gjashtë muaj, por se e kanë lënë të hapur mundësinë për një plus një vit, nëse procedura e rekrutimit tej zgjatet.
“Sa i përket ushtruesit të detyrës, ka qenë gjashtë plus gjashtë muaj, dhe përfundon si ushtrues i detyrës, si propozim nga Ministria e Brendshme ka ardhë që me u bo dy vite (një plus një vit), pra jo një vit por me qenë dy, pra na e kemi bërë amendament këtë, ka kaluar si amendament, po shpresojmë që kalon edhe në Kuvend, ku e lëmë njëjtë, gjashtë plus gjashtë, ashtu siç ka qenë, vetëm në raste të procedurave të rekrutimit, pra nëse është gjatë procedurave të rekrutimit, i bjen që personi mundet me qenë ushtrues detyre, kjo është me i dhënë një afat pak më të shpejtë që secili institucion me i prit edhe inistucionet tjera, për t’i kryer këto pozita, pra nga ushtrues detyre me i kthy në konkurse edhe me i kompletu”, deklaroi Ramadani.
Ramdani tha se nëse shkon gjithçka siç duhet, ky projektligj hyn në votim në seancën e ardhshme. “Kalon, pastaj ata le ti shohin procedurat tutje”.
Sa i përket akuzave të Tahirit për politizim të administratës, Ramadani tha se këtë gjë e ka bërë partia e Tahirit, sa ishte në pushtet.
“Këta që kanë qenë në pushtet deri tash e dinë çka i kanë bo administratës publike, e kanë politizu deri në skejë, e këta s’po mujnë me pritë një vjet ose dy me e bo këtë reformë, edhe po mendojnë që qysh kanë punu vetë, duhet me punu edhe na. Pra ky është synimi i tyre, po dojnë me thonë që “këta janë si na”. Por ne nuk jemi si ata, tash është tjetër logjikë”, shtoi tutje Ramadani për Enigmën.
Kush e kundërshtoi Projektligjin për Zyrtarët Publik?
Ligji për Zyrtarët Publikë ka përplasur tash e disa muaj depuetët e pozitës me ata të opozitës. Pas miratimit në lexim të parë të këtij projektligji me 62 vota, ky projektligj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, të cilat atëherë patën thënë se ky ligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.
Dhe ashtu doli të jetë. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë disa nene të këtij ligji dhe rekomandoi plotësim/ndryshimi/Gazeta Enigma