Veprimet e Qeverisë “Kurti” që mëtojnë shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, po kundërshtohen vazhdimisht nga bashkësia ndërkombëtare duke i quajtur sitë “njëanëshme” dhe se sipas tyre ato po ndihmojnë në tensionimin e situatës atje. Por këto reagime nuk po e stepin kryeministrin, Albin Kurti.
Në vazhdën e aksineve në veri, të premten janë mbyllur pesë komuna ilegale paralele serbe, të cilat ishin në ndesh me kushtetueshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
E për këtë ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë tëcilët janë shprehur të shqetësuar dhe zhgënjyer me veprimet e qeverisë së Kosovës, pas aksionit të policisë në katër komunat veriore.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar” thuhet në reagim të SHBA-së.
Vendimi është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Evropian të cilëtkanë thënë se operacioni I fundit në veri “rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”.
Ura e tensioneve
E përkundër këtyre veprimeve, Qeveria e Kosovës s’e ka ndërmend të stepet as nga hapja e Urës së Ibrit, për të cilin hap kryeministri Kurti ka thënë se janë duke i bërë përgaditjet e nevojshme, që të hapet sa më parë. Ai në mbledhjen e Qeverisë së javës së kaluar ka thënë se janë duke u bërë analizat e nevojshme për të garantuar hapjen e sigurtë të saj.
Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë se ai beson që Ura duhet të hapet, dhe se një gjë e tillë, ishte garantuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit.
“Unë mendon se Ura duhet me u hapë, sepse është momenti i fundit për t’u bërë një gjë e tillë. Gjitha marrëveshjet e Brukselit e kanë parapa që Ura do të duhej të hapej në vitin 2017, tash jemi në vitin 2024. Ura gjithmonë do duhet të ishin në shërbim të lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit, e natyrisht që edhe Ura e Ibrit do të jetë në shërbim të këtyre parimeve të lëvizjes së lirë”, tha Raci.
Sipas tij, marrëdhëniet me akterët ndërkombëtarë nuk janë në rrezik, pasi aleanca e Kosovës me perëndimin ështe strategjike.
“Unë nuk besoj që rrezikohen marrëdhëniet sepse aleanca jonëështë strategjike, e fuqishme. Po, natyrisht që mund të ketënuance në vendimmarrje dhe veprime, por në fund të fundit, kjo Qeveri ka marrë mandat për me vendos rend dhe ligj edhe nëpjesën veriore, andaj ka përgjegjësi para elektoratit të saj me e përfundu edhe këtë pjesë, me integru veriun përfundimisht”, shtoi ai.
Planin që Qeveria e Kosovës e prezantoi para ambasadorëve, për hapat që duhet ndërmarrur për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, Raci tha se e sheh si interesim për koordinim, dhe jo vendim kryekëput në vete.
“Qeveria ka prezantu një plan konkret para gjithë ambasadorëve, me disa hapa, e që i bie se kanë shprehë interesim për koordinim që nga dita e parë, kur ka fillu me u marrë me çëshjten e Urës.
Në fund të fundit, vet Perëndimi, Bashkimi Evropian në raportet e progresit ka thënë që nuk ka asnjë pengesë, në drejtim të asaj që Ura duhet të hapet, prandaj unë besoj që jemi në atë linjën zyrtare të Brukselit”, përfundoi ai.
Kurse i pari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se veriu ështe problem politik dhe se ky problem zgjidhet përmes ripërcaktimit të kufijve.
“Vizitat e niveleve të larta politike dhe të sigurisë tregojnë vetëm një gjë: veriu është problem politik që nuk reduktohet në banda e kontrabandë. Për ne, ky problem zgjidhet një herë e mirë përmes ripërcaktimit të kufijve”, ka thënë ai.
Tutje, Molliqaj tha për Enigmën se Ura e Ibrit është symbol politik për ta trajtuar në mënyre speciale veriun.
“Çfarë ndalon ura kryesore mbi Ibër? Qarkullimin? Jo, njerëzit mund të kalojnë në këmbë. Kalojnë edhe me vetura pak metra më andej. Ura e Ibrit është simbolika politike e trajtimit special të veriut. Trajtim që nesër mund të marrë formë Asociacioni. Sikur ura, as Asociacioni nuk është i menduar si kufi fizik”, tha ai.
Molliqaj thotë se veprimet e ekzekutivit në veri janë vetëm për konsum politik, dhe se kanë ftohur marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Trashje autonomisë në dokumente, rritje e votës, izolim ndërkombëtar. Kështu përmblidhen veprimet e Qeverisë në veri. Por, pasojat tashmë janë të mëdha. Kosova është tërhequr dhe njëkohësisht ka shkatërruar çdo marrëdhënie miqësie” ka përfunduar ai.
Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Më 24 shtator, tensionet kulminuan me sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ndërsa i njejti ende nuk është gjykuar nga drejtësia serbe, dhe refuzojnë që ta ekstradojnë tek autoritetet kosovare. /Gazeta Enigma.