Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masë së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vazhdimi i kësaj mase ndaj të dy të akuzuarve është bërë përmes dy vendimeve të ndara më 13 shtator 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendim thuhet se paneli ka konkluduar se për Selimin dhe Krasniqin aktualisht nuk ka informacione të mjaftueshme që justifikojnë konstatimin se ata mund të largohen nga drejtësia. Megjithatë, për të dytë ekziston rreziku që të kryejnë krime të mëtejshme kundër procedurave gjyqësore dhe pengim të dëshmitarëve.
Në arsyetimin e vendimeve, thuhet se ZPS-ja ka argumentuar se asnjë masë alternative nuk mund të zbusë në mënyrë efektive rreziqet ekzistuese dhe se ato mund të menaxhohen më së miri vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së.
ZPS-ja kishte argumentuar se një gjë të tillë e kishte thënë edhe Paneli në vendimet e mëparshme dhe se asgjë nuk ka ndryshuar sipas tyre që nga ai konstatim.
“Sa i përket rreziqeve të pengimit të përparimit të procedurave të Gjykatës Speciale dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme, Paneli konstaton se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe as ndonjë masë tjetër e parashikuar në nenin 41(12), e urdhëruar proprio motu, nuk mund të zbusë në këtë fazë të procedurave rreziqet ekzistuese. Për më tepër, Paneli konstaton se masat e vendosura në objektet e paraburgimit të Gjykatës Speciale, të shqyrtuara në tërësi, ofrojnë siguri të fortë kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e paracaktuar, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme. Për më tepër, ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose të parandalohet më lehtë”, thuhet në vendimin për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Selimit. Ngjashëm theksohet edhe në atë ndaj Krasniqit.
Si rrjedhojë, është vazhduar paraburgimi për dy të akuzuarit dhe është urdhëruar ZPS-ja që parashtrimet për rishikimin e radhës të kësaj mase të dorëzohen jo më vonë se më 25 tetor 2024.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.