Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, këtë të mërkure ka kërkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që të fillojë procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal të Gjilanit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas Hysenit kjo kërkesë u dorëzua pasi tashmë janë kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit komunal.
Tutje ai ka shtuar se Kuvendi Komunal nuk po arrin t’i përmbushë detyrat dhe obligimet ligjore.
“I nderuar Ministër, tanimë kemi kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit. Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojmë nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mos votimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal”, thuhet në letrën e Hysenit, dërguar ministrit Krasniqi.
“Është viti i dytë me radhë që kemi sfida me votimin e buxhetit komunal. Pas mbledhjes së KPF-së për përgatitjen e seancës së shtatorit, me vota kundër, buxheti komunal është kundërshtuar që të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e rregullt”, thuhet më tej në letër.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, i cili për kërkesën e Hysenit ka deklaruar se “kryetari nuk e di çka është tu ba, e ka humbur vetëkontrollin”.
Tutje ai ka potencuar se “Hyseni nuk e njeh fare ligjin dhe po të ishte ashtu siç ka thënë ai edhe vitin e kaluar do të duhej të vepronte njësoj”.
“Kryetari e ka humbë vetëkontrollin krejt nuk e din as vet çka është tu ba. Me qenë ashtu qysh po thotë ai, edhe vitin e kaluar do të kishte vepruar njësoj.
Rashiti ka theksuar se “njësoj edhe vitin e kaluar buxheti nuk është miratuar sipas afateve ligjore, por tek në fund të tetorit”.
“Për ne si PDK do të ishte e mirëseardhur shpërbërja e Kuvendit Komunal bashkë me dorëheqjen e kryetarit të Gjilanit, sepse çdo ditë që qeverisë VV dhe këtë kryetar komune, dëmet shumëfishohen për qytetarët e Gjilanit”, tha Rashiti për “Enigmën”.
Sipas tij, kryetari Hyseni nuk ka respektuar ligjin për financat publike, duke e ditur se data 1 shtator është afati I fundit ku propozim buxheti dërgohet në Kuvend Komunal për votim.
“Buxheti i komunës për vitin 2025 nuk është procedua fare për votim nga Kuvendi Komunal, si rezultat i dështimit të kryetarit të komunës në respektimin e ligjit për financat publike, ku specifikohet data 1 shtator si afati i fundit ku propozim buxheti dërgohet nga kryetari për miratim në Kuvendin Komunal”, deklaroi Rashiti. /Gazeta Enigma/