Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka akuzuar Serbinë se po shkel detyrimet e dialogut duke pretenduar se ka autoritet për të gjykuar krimet në Kosovë.
Miller gjithashtu ka shprehur mbështetje për qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili e ka kundërshtuar miratimin e projektligjit nga ana e Serbisë që parashikon krijimin e një juridiksioni gjyqësor mbi Kosovën, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo deklaratë vjen në një kohë të tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të dialogut ndërkombëtar për stabilitetin e rajonit.
“Ne pajtohemi me BE-në që projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut. Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023, duke përfshirë Asociacionin dhe zgjidhjet për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”, thuhet në reagimin e Millerit në rrjetin social X.
Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008./GazetaEnigma/