Kosova 17 vjet pas shpalljes së Pavarësisë midis sfidave e sukseseve

Kosova 17 vjet pas shpalljes së Pavarësisë midis sfidave e sukseseve

Kosova sot po shënon 17-vjetorin e fillimit të shtet ndërtimit, rrugë kjo e cila është shoqëruar me shumë mund e vështirësi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurti 2008, Kosovës iu desh t’i “përvjelë duart”, për të ndërtuar institucione funksionale, si në administratë publike, drejtësi, shëndetësi, arsim e kudo tjetër.

Që nga ajo kohë, institucionet vazhdojnë të funksionojnë e të përmirësohen, por shpesh jo në ritmin e kërkuar, veçmas nga bashkësia ndërkombëtare.

117 shtete e njohin Kosovën shtet, por asnjë tjetër nuk e njohu, në katër vitet e fundit.

Suksesi kryesor për Kosovën në këto vjetët e fundit, mbetet liberalizimi i vizave për zonën Schengen, pas vite të tëra pritjeje. Kjo ka bërë që populli i Kosovës më në fund të dalë nga “kafazi”, pasi që udhëtimet për në Evropë tash bëhen shumë më lehtë sesa më herët.

Veriu, në gjendje tjetër, por jo i integruar

Në kohën e shpalljes së pavarësisë, komunat veriore të banuara me shumicë serbe, nuk festonin, përkundër shumicës tjetër të popullit.

Aty kishte barrikada të ndryshme, të cilat pamundësonin qarkullimin mes Mitrovicës së Veriut dhe Jugut.

Me dialogun e zhvilluar në Bruksel, përgjatë viteve në vazhdim u mundësua që këto barrikada të hiqeshin, e qytetarët të mund të ecnin lirshëm.

Veriu dominohej nga bandat kriminale, por se vitet e fundit vlerësohet që këto banda të jenë “përzënë” nga ky vend.

Kosova u bë me Ushtri

Pas 10 vitesh pavarësi, në 2028, Kosova formoi ushtrinë e saj.

Ani se emri mbetet Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) për shkak të pamundësive për ndryshime Kushtetuese, gradimi në Ushtri ishte një sukses tejet i madh për Kosovën dhe rrugën e saj në vulosje të emrit të saj si shtet i pavarur.

Kosova u anëtarësua në disa organizata ndërkombëtare, por jo në ato të mëdhatë

Që nga shpallja e Pavarësisë, thirrja dhe premtimet e politikanëve kosovarë ishte që Kosova të anëtarësohej në aleancat euro-atlantike. Megjithatë, këto thirrje ende hasin në vesh të shurdhër, pasi Kosova ende nuk ka arritur që të anëtarësohet në ndonjë organizatë domethënëse.

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbetet një peng i madh, për shkak të refuzimit nga Rusia dhe Kina.

Kosova, synim të madh e ka edhe anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike NATO, por që edhe për këtë do nevojitet punë dhe përkushtim i madh.

Në vitet e fundit, Kosova bëri çmos që të paktën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por edhe një gjë e tillë nuk u bë.

Aplikimi i saj për statutin kandidat në Bashkimin Evropian po ashtu ka mbetur në sirtar tash e disa vite.

“Kosova ka stagnuar në Drejtësi”

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, thotë për Gazetën Enigma, se Kosova ka shkuar në hapa të duhur për shtetndërtim, por se sistemi gjyqësor nuk është siç duhet të jetë.

“Nga 2008 deri më tani, Kosova ka ecur jashtëzakonisht mirë, sa i përket shtetndërtimit. Kuptohet se defekte të mëdha kanë prekur institucionet e brishta, sidomos institucionet e drejtësisë, të cilat parashihen të jenë të pavarura. Fatkeqësisht, disa prej partive që kanë qeverisur në fillet e shtetit tonë, pra pas shpalljes së Pavarësisë, kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në emërime në sistemin e drejtësisë, gjë që nuk do duhej të ndodhte, dhe kjo gjë ka ndikuar që drejtësia të mos zbatohet plotësisht”, deklaroi Drenori për “Enigmën”.

“Përndryshe, në përgjithësi, shteti ynë i ka bërë punët që i takojnë. Kemi pasur njohje kualitative, nga shumica e shteteve demokratike, kemi krijuar relacione komunikimi të drejtpërdrejta përmes ambasadave dhe zyrave tjera komunikuese me shtetet të cilat janë të interesit të dyanshëm. Kemi bërë përparime edhe në Forcën e Sigurisë, e cila dita e ditës po bëhet kompetetive me shtetet e tjera të rajonit. Kuptohet që neve na mungon armatimi i rëndë, mirëpo thelbi i ushtrisë tashmë është. Pra, në këtë aspekt Kosova ka ecur, por me defektin më të madh në sistemin e drejtësisë”, shprehet më tutje analisti Drenori.

Kosova dhe ekonomia

Se ekonomia është thelbi i një shteti të fortë, është e ditur.

Në Kosovë, ekonomia në përgjithësi ka ecur me hapa herë para herë mbrapa, por gjithmonë me përqindje të vogël të përmirësimit.

Ekonomisti Arton Muhaxheri, thotë për Gazetën Enigma se nga shpallja e pavarësisë më 2008 deri më 2025, Kosova ka kaluar nëpër një proces zhvillimi ekonomik me ritme të ndryshme.

“Ndërsa në dekadën e parë pas pavarësisë u vunë themelet për rritje të qëndrueshme, vitet e fundit kanë treguar ngadalësim, kryesisht për shkak të sfidave të brendshme dhe të jashtme”, thotë Muhaxheri.

Njohësi i ekonomisë, për “Enigmën” përshkroi në disa periudha ekonominë dhe ritmet e saj në Kosovë:

2008 – 2020: Rritje graduale dhe sfida ekonomike

Në periudhën e parë pas pavarësisë, Kosova përjetoi një rritje ekonomike mesatare prej 3-4% në vit, duke u mbështetur kryesisht në ndihmat ndërkombëtare, remitancat nga diaspora dhe ndërtimtarinë. Investimet në infrastrukturë, si autostradat dhe rrjeti energjetik, krijuan një bazë për zhvillim të mëtejshëm.

Megjithatë, sfidat si papunësia e lartë, mungesa e investimeve të huaja dhe varësia nga importet vazhduan të pengonin një zhvillim të qëndrueshëm. Integrimi i dobët në tregjet ndërkombëtare dhe barriera politike e bënë Kosovën më të ndjeshme ndaj krizave ekonomike.

2021 – 2025: Ngadalësimi i zhvillimit ekonomik dhe sfidat e reja

Pas vitit 2021, ritmi i zhvillimit ekonomik u ngadalësua ndjeshëm për shkak të një kombinimi faktorësh, ku kryesor ishte mungesa e fokusit të qeverisë në zhvillimin ekonomik. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kjo periudhë u karakterizua nga:

Rënie e rritjes ekonomike: Nga një rritje e lartë prej mbi 10% në 2021 (për shkak të rimëkëmbjes pas pandemisë), ekonomia ra në 2-3% në vit, një nivel që nuk mjafton për të krijuar vende të reja pune apo për të rritur mirëqenien.

Kriza energjetike: Dimri i 2021-2022 solli ndërprerje të rrymës dhe rritje të çmimeve të energjisë, duke dëmtuar prodhimin dhe duke rritur kostot për bizneset dhe familjet.

Mungesë e politikave për stimulimin e biznesit: Bizneset e vogla dhe të mesme hasën vështirësi për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore, burokracisë dhe tatimeve të larta.

Papunësia dhe emigracioni: Mungesa e investimeve dhe vendeve të punës çoi në largimin e mbi 100,000 qytetarëve, duke krijuar mungesë fuqie punëtore dhe ulje të konsumit.

Inflacion i lartë dhe rënie e standardit të jetesës: Rritja e çmimeve për produktet bazë dhe energjinë e bëri jetën më të shtrenjtë për qytetarët, ndërsa pagat nuk u rritën në të njëjtin ritëm.

Rënie e investimeve të huaja: Pas 2021, Kosova u bë më pak atraktive për investitorët për shkak të mungesës së stabilitetit ekonomik dhe politikave të paqarta për zhvillimin ekonomik.

Nëse periudha 2008-2020 u karakterizua nga një rritje graduale, por me sfida, vitet 2021-2025 treguan një mungesë të vizionit ekonomik, duke ndikuar në stagnimin e zhvillimit. Kosova humbi mundësi për rritje për shkak të mungesës së politikave të qarta ekonomike, krizës energjetike dhe largimit të fuqisë punëtore. Për të pasur një ekonomi më të fortë në të ardhmen, vendi ka nevojë për reforma të thella, mbështetje për bizneset dhe investime strategjike në sektorët kyç të zhvillimit.

Kosovarët, ende me shpresa të mëdha

Edhe pas 17 viteve gëzimi, zhgënjimi, feste, hidhërimi, kënaqësie e pakënaqësie, populli i Kosovës vazhdon të jetë optimistë për të ardhmen.

Me një popullsi të re e vibrante, Kosova ka një territor të mbushur me njerëz në çdo anë, të cilët janë energjikë, mendje hapur e të gatshëm për sfidat e reja.

Krejt çka ata kërkojnë, është një politikë më të shkathët, një shëndetësi më të kualifikuar, një arsim më cilësor, një drejtësi më të drejtë e një ekonomi më të fortë. /GAZETA ENIGMA

Related Articles