Të freskëta i ka kujtimet nga lufta por edhe më të freskëta i ka ato nga dita kur përfundimisht në Kosovë mund të frymonte lirisht.
Hyrije Halimi, tashmë pensionere nga komuna e Gjilanit, për Gazeta Enigma ka ndarë detaje nga dy periudhat të cilat shënuan kthesë në jetën e saj.
Halimi kujton se sa e frikshme ishte ajo kohë dhe se asnjëherë ajo dhe familja e saj nuk e dinin se a do ti zbardhte mëngjesi sërish.
“Në Gjilan nuk ka pas shumë dëme mirëpo të sigurtë nuk ishim asnjë, vetëm prisnim se kur po na sulmojnë”, tha ajo.
72-vjeçarja tregon një moment të cilin nuk do ta harrojë asnjëherë kur në oborrin e shtëpisë së saj u shfaqën paramilitarët serb.
“Isha jashtë në oborr duke mundu me fshi pak, dhe veç kur i kam pa se kapërcyen me kamion paramilitarët dhe e ndalën te oborri jonë, frik e madhe ka qenë, gjuanin me armë nga qielli, derisa kaluan, njëherë nuk u futën brenda por pas dy ore u rikthyen sërish dhe atëherë hynë dhe kontrolluan në gjithë shtëpinë”.
“Ata na kërkuan letërnjoftimet, e gjithë familja ishte me mbiemër të njëjtë përveç rejës të sapomartuar e cila ende nuk kishte kurorëzim, ajo kishte mbiemrin e vajzërisë e morën e ndanë vet, ai moment ka qenë shumë i frikshëm, ajo ishte shtatëzanë, menduam që do t’i ndodhte diçka por fatmirësisht jo. Kërkuan të shihnin të gjitha albumet ku dëshmonin se reja ime ishte e martume me djalin, kur e vërtetuan e kthyen sërish tek ne”, tregon Halimi.
Ndonëse ngjarje të tilla, e moshuara mund të tregonte me bollëk, Engima u ndal edhe tek një moment tjetër në të cilin ndjenjat e saj ishin krejtësisht tjera, tashmë ato gëzimi.
72-vjeçja tregon për ditën e Pavarësisë.
“Atë ditë nuk e harroj kurrë, na pak para veç e dinim se po shpallet Pavarësia, me gëzim jemi qu krejt shpia. Jemi ulë para televizorit edhe krejt sy e vesh me kshyr çka po ndodh. Nuk di cili televizion e transmetojke, po për neve ish festë, trupi mu rrëqethke, e vetëm një mërzi e kisha që një vit para vdiq burri, kisha qef edhe ai me pas prit këtë ditë, me kuptu qe jemi të lirë, i cili ishte i përndjekur politikisht nga forcat serbe”, thotë ajo teksa zëri i dridhet nga emocionet.
Halimi tregon më tutje se atë ditë menjëherë dolën e gjithë shtëpia në qytet për të parë nga afër atmosferën festive që po mbizotëronte.
“Kemi dal meniherë në qytet krejt bashkë me nipa e mesa, djemt e rejat, qyteti ishte mbush prej njerëzve edhe për ni moment e kuptova që kjo është Kosova për cilën u derdh gjak, në fytyrat e të gjithëve kishte gëzim, e te disa edhe lot, me siguri kanë humb dikë në luftë, e edhe gzimin nuk e kanë pas si duhet”, rrëfen më tej e moshuara.
E të tilla ngjarje, rrëfime plotë emocion mund të gjesh në secilin banorë të Kosovës, që ditët më të errëta të vendit i përjetuan në dheun e tyre, duke mos ditë nëse dielli do të lindte sërish për ta.
“Nuk e dinim nëse do na zbardhte mëngjesi, por dielli lindi sërish”, rrëfimi i të moshuarës nga Gjilani për periudhën pas luftës
