“Evropa po riarmatoset” – A është Kosova vendi më i rrezikuar në rajon?

“Evropa po riarmatoset” – A është Kosova vendi më i rrezikuar në rajon?

Zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe ndryshimet në politikën e jashtme të SHBA-së kanë sjellë një klimë të re pasigurie në Evropë dhe më gjerë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Përplasjet e fundit mes Perëndimit dhe Rusisë kanë bërë që vëmendja të kthehet edhe te rajoni i Ballkanit.

Kosova si një shtet me siguri të mbështetur nga NATO dhe aleatët perëndimorë, mund të përballet me sfida të ndryshme në aspektin e stabilitetit dhe mbrojtjes, sipas ekspertëve.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje pët Gazetën “Enigma” ka folur rreth ngjarjeve të fundit që kanë ngjallur shumë polemika në lidhje me sigurinë në vendin tonë.

“Zhvillimet në Ukrainë kanë një ndikim të rëndësishëm në situatën e sigurisë në Ballkan, duke krijuar një atmosferë tensioni që mund të ndikojë në stabilitetin e rajonit. Rusia po përpiqet të ruajë influencën në Ballkan, dhe përpjekjet e saj për të destabilizuar rajonin mund të përhapen edhe në Kosovë, veçanërisht në lidhje me ndikimin e saj mbi Serbinë”, tha Shala.

Tutje ai ka shtuar se “kjo mund të shkaktojë tensione të rinj, sidomos për shkak të mbështetjes ruse për Serbinë dhe qëndrimet e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Kosova mund të përballet me rritje të veprimeve të destabilizimit nga aktorë të ndryshëm, përfshirë aktivitete të financuara nga Rusia”.

A mund të përballet Kosova me ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga akterë të jashtëm apo të brendshëm, sipas Shalës.

“Kosova ka disa kërcënime të mundshme, si nga akterë të jashtëm ashtu edhe nga ata të brendshëm. Nga jashtë, Rusia, përmes mbështetjes ndaj Serbisë, mund të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, duke përdorur presione diplomatike dhe ekonomike”, deklaroi ai për “Enigmën”.

Shala tutje ka theksuar se “nga ana tjetër, Serbia mund të vazhdojë me strategji të ndryshme për të minuar pavarësinë e Kosovës, përfshirë mbështetje të grupeve të pakënaqura etnikisht brenda Kosovës. Nga brenda, tensionet etnike dhe çështjet socio-ekonomike mund të krijojnë mundësi për destabilizim, veçanërisht në veri të Kosovës, ku janë të pranishme grupe të pakicës serbe”.

Rolin e SHBA-ve në ruajten e sigurisë në Kosovë, Shala e sheh si kyq.

“SHBA luan një rol kyç në mbështetje diplomatike dhe ushtarake, duke ofruar mbrojtje ndaj çdo kërcënimi të mundshëm. Roli i NATO-s është gjithashtu i rëndësishëm në mbajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon, duke siguruar një prani të fuqishme ushtarake dhe duke mbështetur reformat dhe zhvillimin e sigurisë në vend”, deklaroi Shala.

“SHBA dhe NATO janë garantues të rëndësishëm të sigurisë së Kosovës, veçanërisht përmes KFOR-it”

Sipas Shalës “Kosova përmes marrëdhënieve me NATO-n dhe SHBA-në, ka mundësi të mbrohet nga çdo kërcënim të jashtëm dhe të brendshëm”.

Shala tutje ka theksuar se “kjo luftë e influencave mund të përshkallëzohet në tensione të reja në Ballkan, sidomos për shkak të pozicionit të Serbisë që vazhdon të jetë aleate e ngushtë e Rusisë”.

“Tensionet mes këtyre akterëve mund të përshkallëzohen dhe të krijojnë një atmosferë më të pasigurt për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, tha ai.

A ka rrezik për ndërhyrje hibride në Kosovë?

Shala thotë se rreziku është real. “Po, ka mundësi për ndërhyrje hibride në Kosovë, sidomos duke pasur parasysh aktivitetet e vazhdueshme të grupeve që mbështesin interesat e Serbisë dhe Rusisë”, tha ai.

Tutje ai ka shtuar se “sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit dhe përpjekjet për të minuar besimin në institucionet e Kosovës mund të përdoren si mjete për të krijuar kaos dhe për të destabilizuar vendin. Gjatë viteve të fundit, janë raportuar raste të dezinformimit dhe tentativave për manipulimin e opinionit publik, që mund të intensifikohen në periudha tensioni”.

“Nëse tensionet mes Kosovës dhe Serbisë përshkallëzohen, mund të ndodhin konfrontime të dhunshme, veçanërisht në veri të Kosovës, ku janë të pranishme grupe të pakicës serbe. Për më tepër, ndërhyrjet hibride nga Rusia mund të shpeshtohen, duke pasur një ndikim destabilizues të rëndë në jetën politike dhe sociale të Kosovës”, tha Shala.

Kurse opsioni tjetër sipas Shalës është se “Kosova mund të përballet me izolim të mëtejshëm ndërkombëtar, veçanërisht nëse Rusia vazhdon të përdorë influencën për të minuar përpjekjet për integrimin në organizata ndërkombëtare si BE dhe NATO”.

Ndërsa me skenarin optimist sipas Shalës “Stabiliteti mund të ruhet nëse Perëndimi dhe aktorët ndërkombëtarë vazhdojnë të mbështesin institucionet e Kosovës dhe të bashkëpunojnë me NATO-n dhe KFOR-in. Përpjekjet për integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare mund të intensifikohen, duke ofruar mundësi për zhvillim dhe stabilitet ekonomik”.

“Kosova mund të përfitojë nga mbështetja e Perëndimit dhe të vazhdojë përpara me reforma që forcojnë shtetin dhe luftën kundër korrupsionit”, ka deklaruar Shala për “Enigmën”.

E teksa situata mbetet dinamike, ai thekson se “është e rëndësishme për liderët e Kosovës dhe aktorët ndërkombëtarë që të vazhdojnë të monitorojnë me kujdes zhvillimet dhe të ndërmarrin masa proaktive për të ruajtur stabilitetin”.

Schmitt: Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë

Historiani i njohur zviceran Oliver Jens Schmitt në një prononcim për media ka deklaruar se teksa vëzhgon situatën gjeopolitike, identiteti i Kosovës është në alarm.

Schmitt shprehet se shteti duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm ushtarak. Ai shtoi se do të ishte më e rëndësishme të flitej për mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen civile, spitalet, planet e emergjencës dhe të përgatiten seriozisht sesa për gjuhën dhe letërsinë.

Sipas tij, krahas Republikës së Moldavisë, Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. Schmitt shprehet se në Kosovë, rreziku i luftës nuk diskutohet më seriozisht sesa në vendet e tjera evropiane. Ai shtoi se tani nuk nevojiten debate për identitetin, por përgatitje serioze për një sulm.

Kurse Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar se siç e quajti ajo po përgaditet “Rarmatimi i Evropës”, plan ky të cilin ajo do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë.

“Të martën do të informoj vendet anëtare përmes një letre për planin Riarmatimi i Evropës. Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm përmes forcës, që fillon me forcimin e vetes sonë”, deklaroi ajo.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin dhe për të përgatitur një force paqësore për dislokim të mundshëm në Ukrainë.

Njoftimet për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, shkaktuan një rritje të aksioneve të kompanive të prodhimit të armëve në Evropë. /Gazeta Enigma/

Related Articles