Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar një kthesë të dukshme në performancën e saj elektorale gjatë katër viteve të fundit, duke kaluar nga një rezultat i dobët në zgjedhjet e 2021 në një rritje të konsiderueshme në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Por ky rezultat nuk ishte i kënaqshëm për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, i cili pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit tha “krenar për LDK-në, por ndryshimi kërkon më shumë angazhim”.
E angazhimi që po e kërkon Abdixhiku, duket se nuk po mjafton për Avdullah Hotin i cili kishte shfaqur aspirata për pozitën e të partit të LDK-së në 2023-tën, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kjo pasi Hoti po kërkon “një lidership të ri” në LDK.
Në një deklaratë të publikuar të martën në orët e hershme të mëngjesit, Hoti ka bërë thirrje për reflektim të thellë politik dhe ligjor, duke sugjeruar nevojën për një lidership të ri që do të rikthente besimin e anëtarësisë dhe do të bashkonte partinë.
“Për interes të vendit dhe të LDK-së, është e domosdoshme të reflektojnë karshi këtij rezultati zgjedhor dhe këtyre zhvillimeve, si politikisht ashtu edhe ligjërisht. Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë, LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet dhe që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve, të rinj e të vjetër,” ka deklaruar Hoti përmes një postimi në rrjetet sociale.
Hoti ka theksuar gjithashtu se përpjekjet e lidershipit aktual për ristrukturimin e partisë në degë gjatë katër viteve të fundit janë bërë në mënyrë selektive, duke lënë pas dore bashkimin e plotë të partisë. “LDK-ja ka nevojë për një lidership që i bën bashkë të gjitha copat e saj, brenda vendit dhe në diasporë,” ka shtuar ai, duke ftuar partinë të lërë mënjanë mëritë dhe të përqendrohet në fuqizimin e saj për interes të Kosovës.
Hoti apo Abdixhiku, kush i solli më shumë vota LDK-së?
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të sigurojë vetëm 12.73% të votave, duke fituar 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ky rezultat përfaqësonte një rënie të ndjeshme për partinë historike, e cila tradicionalisht ka qenë një forcë dominuese në politikën kosovare. Hoti, i cili kishte shërbyer si kryeministër deri në mars 2020, përballoi një fushatë të vështirë pas rënies së qeverisë dhe humbjes së besimit të një pjese të elektoratit. Rezultatet e dobëta nxorën në pah nevojën për ndryshim, duke çuar në zgjedhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i ri i partisë më 14 mars 2021.
Abdixhiku, i cili u bë lideri më i ri në historinë e LDK-së, premtoi një rifreskim të imazhit dhe strategjisë së partisë. Gjatë mandatit të tij, LDK-ja lançoi platformën “Rruga e Re”. Këto lëvizje strategjike, të kombinuara me një fokus të ri në çështjet ekonomike dhe sociale, duket se dhanë fryte në zgjedhjet e fundit.
Më 9 shkurt 2025, LDK-ja, nën drejtimin e Abdixhikut, siguroi 18.27% të votave, duke fituar 20 ulëse në Kuvend – një rritje prej 5.54 pikë përqindjeje dhe 5 ulëse më shumë krahasuar me 2021. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe analizave të hershme, kjo performancë reflekton një rikthim të besimit të votuesve te partia.
Ndryshimi në kryesi ka qenë një faktor vendimtar në këtë evolucion. Në 2021, Hoti drejtoi partinë gjatë një periudhe trazirash politike dhe humbi terren ndaj rivalëve si Vetëvendosje. Nga ana tjetër, Abdixhiku ka sjellë një qasje më dinamike dhe bashkëkohore, duke u fokusuar në ripozicionimine LDK-së si një alternativë e besueshme për qeverisje. Statistikat flasin vetë: nga 12.73% në 2021 në 18.27% në 2025, dhe nga 15 në 20 ulëse, rritja është e qartë.
Pavarësisht kësaj rritjeje, LDK-ja nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvend, duke e lënë partinë në një pozicion ku koalicionet do të jenë të domosdoshme për të ndikuar në qeverisjen e ardhshme.
Përkundër ngritjes së partisë në krahasim me numrat më të dobët elektoralisht nga viti 2021 kur vet ishte kryetar i partisë, taniHoti, ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj drejtimit aktual të partisë pas performancës në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Ku duhet të reflektojë LDK-ja?
“Jeta politike është dinamike në çdo vend dhe konkurrenca brenda partive gjithsesi është dinamike dhe ka ndryshime të vazhdueshme dhe për atë arsye bëhen edhe reformat edhe ndryshimet e programeve”.
Kështu u shpreh një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Milazim Krasniqi, për situatën e krijuar së fundmi brenda strukturave të kësaj partie.
Profesori universitar tha për Gazetën Enigma se LDK-ja pati një program dhe fushatë të mirë organizuar, mirëpo rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk arriti pritshmëritë e tyre.
“LDK-ja ç’është e vërteta ka bërë reforma dhe ka pasur një program korrekt, një program bukur të pëlqyeshëm në sytë e publikut dhe një fushatë shumë të organizuar, shumë simpatike, por rezultati ju ka dalë në shpërpjesëtim megjithatë angazhim, dhe me atë ofertë programore”, tha Krasniqi.
“Tani atyre u mbetet që t’i analizojnë shkaqet, pse ka ndodhë kjo, pse nuk është pranu më shumë ai program dhe pastaj të gjejnë në rrugët për të përmirësuar qoftë ofertën politikë e ofertën programore.Kështu që kjo është një rrugë standarde që çdo parti duhet ta bëjë pas zgjedhjeve”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se ngurtësia e kryetarit aktual të LDK-së në qëndrimet e veta, ka shkaktuar paknaqësi brenda partisë, ashtu siç e solli edhe deklarimin e fundit të ish-kryeministrit Hoti.
“Këtë periudhë, LDK-ja ka qenë shumë e ngurtë në qëndrimet politike, veçmas kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Ndoshta kjo edhe ka rrit pak pakënaqësi brenda partisë, siç ishte kjo deklarata e ish-kryeministrit Hoti që kërkon që të ketë ndryshime. Kështu që, tash është hap debati”, tha ai.
Sipas Krasniqit, LDK-ja duhet ta bëjë këtë debat brenda partisë, e jo në publik.
“Mençuria e LDK-së do të ishte që debatin ta mbajnë brenda partisë dhe jo në publik, sepse në atë rast mund me gjetëzgjidhjen më lehtë dhe me i akomodu kërkesat e anëtarësisë.Natyrisht, Avdullah Hoti është ish-kryeministër, është person me ndikim në jetën politike dhe partiake, kështu që besoj që edhe partia duhet ta marrë me seriozitet edhe kërkesën e tij”, shtoi tutje ai.
Krasniqi cilëson se ky debat duhet bërë publik vetëm kur konsumohen rrugët institucionale për të adresuar problemet.
“Giovanni Sartori, një teoricien i jashtëzakonshëm i politikës dhe demokracisë, thotë që lufta më e ashpër politike zhvillohet brenda partisë, jo në raport me kundërshtarët. Pra, brenda partisë politike zhvillohet garë për pozita, për primat, është pra diçka normale kjo. Por mënyra më e mirë është që me e fut brenda organeve të partisë, për shembull Kryesisë, Këshillit Drejtues nëse ka nevojë edhe Kuvendit të partisë. Këto polemika në publik besoj që duhet të bëhen vetëm kur konsumohen rrugët institucionale për të adresu problemet” tha ai.
Krasniqi e sheh Hotin si një person me ndikim edhe ndërkombëtarë, dhe e arsyeton deklarimin publik të tij për nevojën e reformave në parti.
“Avdullah Hoti ka dalë keq në zgjedhje atëherë, por ka qenë një kryeministër shumë i suksesshëm në fakt. Është i vetmi kryeministër që ka nënshkru një dokument në Shtëpinë e Bardhë para presidentit Trump, e kështu si i tillë ka një reputacion edhe ndërkombëtar. Ashtu që sigurisht ai edhe e ndien vetë përgjegjësinë që të flasë për nevojën e reformave në parti”, vazhdoi ai tutje.
“Krejt kjo mbetet që të shihet se si do të adresohet nëse udhëheqja e LDK-së është e mençur,e kthen debatin brenda strukturave të partisë dhe nuk e lë që të përhapet në publik, sepse në publik mandej përzihen edhe kundërshtarët politik dhe persona të agjendave të ndryshme dhe ajo mund të shkaktojë dëme edhe më shumë”, përfundoi Krasniqi në një prononcim për Gazetën “Enigma”.
Kundërshtime brenda partisë
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka dalë kundër deklaratës së Avdullah Hotit i cili kërkon lidership të ri.
Sipas Muhaxherit, Abdixhiku s’mund të shkarkohet pasi e ka rritur LDK-në për 70 për qind.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai.
Rreth kësaj, ka reaguar edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri ka thënë se duhet theksuar se LDK është e anëtarësisë së saj dhe jo funksionarëve, duke bërë të ditur se anëtarësia e partisë më 19 nëntor 2023 kishte vendosur që Abdixhikut t’ia japë një mandat të ri.
Ish-kreu i Gjilanit ka thënë se Abdixhiku e kishte marrë partinë nga një Kuvendi i jashtëzakonshëm që kishte ardhur si pasojë e rezultatit më të keq historik që kishte marrë LDK.
Ai tutje ka thënë se ndonëse LDK ishte angazhuar, rezultati nuk ishte ai që kishte dashur.
Haziri në fund shkruan se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur në LDK ka rënë morti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve kishte deklaruar se kjo rritje do i jepte më shumë mundësi e qetësi organizimit të brendshëm partiak.
“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë!”, pati deklaruar Abdixhiku pas zgjedhjeve. / Gazeta Enigma/