Tri komuna në bllokadë financiare, e grantet e BE-së në rrezik – Konstituimi i Kuvendit ende askund

Tri komuna në bllokadë financiare, e grantet e BE-së në rrezik – Konstituimi i Kuvendit ende askund

Ndonëse tash e disa javë po tentohet që të bëhet konstituimi i Kuvendit, dështimi i këtij procesi, përveçse në nivelin nacional, po sjell pasoja edhe në nivel lokal, shkruan Gazeta Enigma. Grantet e Bashkimit Evropian janë në rrezik, ndërsa tri komuna – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – po funksionojnë me kapacitete minimale financiare.

Komuna e Prishtinës, ajo e Gjilanit dhe Zubin Potoku po përballen me probleme financiare si pasojë e mungesës së vendimmarrjes në Kuvend dhe në Qeveri.

Në këto qytete, megjithëse me vonesë është kaluar buxheti komunal, për miratim të plotë duhet një Qeveri funksionale, dhe një gjë e tillë nuk po duket në horizont – çka po përkeqëson më tej gjendjen financiare.

Për problemet financiare me të cilat po përballen, ka folur Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ai tha se kjo komunë aktualisht është duke funksionuar me 1/12 e buxhetit.

“Është vonuar nga ana e Kuvendit miratimi i buxhetit për vitin 2025. I kemi tejkaluar afatet dhe jemi në një ngërç buxhetor. Deri tani jemi duke funksionuar me 1/12 e buxhetit. Të njëjtin problem e kanë edhe Prishtina dhe Gjilani; jemi në të njëjtën situatë”, tha Zeqiri për Gazetën Enigma.

Ndërkohë, për problemet financiare të krijuara nga mungesa e votimit në Kuvend, ka folur edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka deklaruar se buxheti i kryeqytetit për vitin 2025 po përballet me pengesa serioze.

Sipas tij, ndonëse buxheti është votuar që në dhjetor 2024 dhe është planifikuar për projekte madhore të qytetit, Parlamenti i Kosovës ende nuk e ka miratuar atë.

Komunat po funksionojnë me 1/12 e buxhetit

Asambleistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Komuna e Gjilanit, Gresa Avdiu, në një përgjigje për Enigmën, deklaroi se situata e krijuar në qytetin e Gjilanit me buxhetin është pasojë e mungesës së vullnetit politik.

Avdiu e sheh si shqetësuese qasjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, i cili sipas saj “po hesht dhe nuk po bashkëpunon me opozitën në nivel komunal”.

“Kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vullnetit politik dhe e mosfunksionimit të institucioneve në nivelin që qytetarët e meritojnë. Partia e parë në Kuvendin e Republikës po dështon të konstituojë Kuvendin në kohë, për teke personale politike, nga dëshira që me çdo kusht të qëndrojë në pushtet, duke krijuar një boshllëk institucional që ka ndikuar edhe në nivelin lokal. Por për ne, ajo që është edhe më shqetësuese është qasja e Kryetarit të Komunës, i cili në vend se të ndërmerrte hapa konkretë për ta shmangur këtë krizë në kohën kur ne i kërkonim bashkëpunim, ka zgjedhur të heshtë dhe të presë, duke mos demonstruar asnjë vullnet për dialog”, u shpreh Avdiu.

Asambleistja e LDK-së deklaroi se momentalisht Gjilani është një “komunë e paralizuar”.

“Si rezultat, sot qytetarët e Gjilanit janë pa projekte kapitale dhe pa mbështetje për kategoritë që kanë më së shumti nevojë. Kemi institucione të bllokuara dhe një komunë tërësisht të paralizuar vetëm për shkak të inateve politike dhe luftës për pushtet. Kjo nuk është krizë teknike, por politike, dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Kryetari i Komunës ka dështuar në rolin e tij si udhëheqës, sepse nuk ka qenë në gjendje të krijojë as bashkëpunim institucional, as klimë të mirëbesimit me akterët tjerë politikë”, thotë ajo.

“Ne si opozitë kemi qenë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim në çdo moment, por nuk mund të heshtim përballë një krize që e ka zanafillën te paaftësia dhe kokëfortësia politike. Gjilani nuk mund të mbahet peng më gjatë. Qytetarët presin veprim, jo justifikime. Ata presin zhvillim, jo stagnim”, përfundoi Avdiu për Enigmën.

Kërkohen veprime institucionale

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, deklaroi se Qeveria në detyrë ka kompetenca të limituara – por çështje të tilla janë urgjente.

“Momentalisht, Kosova ka Qeveri në detyrë, pra, vetëm minimumin e kompetencave që duhet të ushtrojë. Qeveria i ka të limituara këtokompetenca duke u bazuar në Ligjin për Qeverinë. Theksoj se çështje të tilla janë urgjente dhe kanë rëndësi të madhe në ushtrimin e detyrave komunale. Prandaj, Qeveria në detyrë duhet të vendosë, pasi miratimi është formal për të funksionalizuar komunat”, u shpreh Burjani për Enigmën.

Në rrezik edhe fondet e Bashkimit Evropian

Përveç buxheteve komunale që kanë mbetur pezull, edhe shumë ndihma dhe projekte të Bashkimit Evropian nuk po ekzekutohen pa pasur Kosova një Qeveri funksionale.

Tutje, Banka Botërore në raportin “Përshtatja për Rritje të Qëndrueshme” thotë se vonesat në formimin e institucioneve qeverisëse kanë ndikim negativ në ekonominë kosovare – çka për organizatat e kësaj fushe duhet të ngritë alarmin.

Edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, shkroi të martën në Facebook se bllokimi i Kuvendit vonon dorëzimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe ndarjen e granteve, duke kërkuar që partitë opozitare të ndihmojnë në formimin e Kuvendit.
/Gazeta Enigma/

Related Articles