Parlamenti Evropian, në rezolutën e tij të fundit (P10_TA(2025)0093) mbi raportet e Komisionit për Serbinë për vitet 2023 dhe 2024, ka shprehur shqetësime të thella për diskriminimin e pakicave kombëtare, duke theksuar gjithashtu edhe praktikat që prekin komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Dokumenti, i miratuar më 7 maj 2025, nxjerr në pah dështimet e Serbisë për të garantuar të drejtat e pakicave dhe për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave për anëtarësim.
Rezoluta kritikon ashpër Serbinë për zbatimin e kufizuar të të drejtave të pakicave kombëtare, duke theksuar se mbrojtja e tyre mbetet kryesisht formale dhe e kontrolluar nga Qeveria.
Në veçanti, Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për “zbatimin kufizues dhe arbitrar” të Ligjit për Vendbanimin e Përhershëm dhe të Përkohshëm, i cili ka çuar në “pasivizimin” e adresave të mijëra shqiptarëve në jug të Serbisë, duke kufizuar të drejtat e tyre civile dhe administrative”. Kjo praktikë, sipas rezolutës, përbën shkelje të të drejtave themelore dhe minon integrimin e këtyre komuniteteve.
Tutje, PE i bën thirrje Serbisë të promovojë dhe mbrojë trashëgiminë kulturore dhe traditat e pakicave, duke krijuar një mjedis pozitiv për arsimimin në gjuhët e pakicave.
Rezoluta mes tjerash thekson nevojën për më shumë mësues, tekste shkollore dhe materiale shtesë në gjuhët e pakicave, si dhe dënon shkeljet e të drejtave të pakicave në këtë fushë.
Rezoluta nënvizon se respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare është një kusht thelbësor për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar përfaqësimin e plotë të pakicave në të gjitha nivelet e qeverisjes, për të mbrojtur identitetin e tyre kulturor dhe për të hetuar me rigorozitet krimet e motivuara nga urrejtja.
Problemet e përditshme të Luginës
Lidhur me këtë, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, tregoi për “Enigmën” se si janë marrë aktivisht për të kundërshtuar “pasivizimin” e adresave të shqiptarëve atje.
“Si ish-Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, kam qenë ndër zërat e parë që e kam ngritur alarmin për këtë fenomen diskriminues që prek mijëra shqiptarë. Kam ndërmarrë hapa konkretë për ta ndërkombëtarizuar çështjen, përfshirë raportimin pranë institucioneve evropiane dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Raporti i parë me shifra e me të dhëna të sakta juridike se këto veprime janë anti-civilizuese e madje antikushtetuese edhe në Serbi. Kam takuar e informuar në çdo vendbanim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Madje kemi asistuar me ndihmë juridike falas dhe me këshilla juridike. Kemi arritur që në fund, me mbështetjen tonë, që rasti i Safet Demirit të mbërrijë edhe para derës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thekson ai.
“Kam takuar me dhjetëra e qindra herë zyrtarë të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe BE-së, ku kam paraqitur prova të qarta se “pasivizimi” është një formë moderne e spastrimit etnik administrativ. Në vend të heshtjes apo normalizimit të këtij diskriminimi, unë kam kërkuar vendosmërisht që Serbia të ndalojë këtë praktikë dhe të rikthejë të drejtat elementare të banorëve të saj shqiptarë”, tha Mustafi për Gazetën “Enigma”.
Për sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe mbrojtjen e identitetit kulturor shqiptar, Mustafi tha se kjo ka qenë pika më e dhimbshme për komunitetin shqiptar atje.
“Kjo ka qenë një nga temat më të dhimbshme për komunitetin tonë. Si kryetar i KKSH-së, kam bërë përpjekje të vazhdueshme që nxënësit shqiptarë të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor në gjuhën amtare”, tha ai.
Ai tregon se si nga 0 tekste shkollore që kanë pasur në dispozicion si komunitet, kanë siguruar 79 komplete tekstesh shkollore nga Shqipëria, t’i marrin falas falë fondit nga Republika e Kosovës.
“Nga zero tekste shkollore, kemi arritur që të aprovohen për përdorim 79 komplete tekstesh për shkollat fillore nga Republika e Shqipërisë për herë të parë në histori, e madje të sigurojmë që tekstet t’i marrin falas sepse kemi siguruar fondin nga Republika e Kosovës. Kam dorëzuar kërkesa zyrtare në Ministrinë e Arsimit të Serbisë për njohjen dhe përdorimin e teksteve edhe për shkollat e mesme në gjuhën shqipe, duke insistuar që kjo është jo vetëm një kërkesë e komunitetit, por një obligim ndërkombëtar i shtetit serb, bazuar në rezolutën e Parlamentit Evropian. Për më tepër, kam organizuar tryeza me ekspertë të arsimit dhe kam lobuar që shqiptarët të kenë më shumë ndikim edhe në menaxhimin e institucioneve shkollore. Që diplomat e Kosovës të njihen nga Serbia, dhe që Serbia të plotësojë obligimet e marra me konventat ndërkombëtare në mënyrë rigoroze”, tha ai.
Mustafi tregon për vështirësitë që hasin shqiptarët në Luginën e Preshevës, qoftë edhe për vetëm bartjen e flamurit kombëtar të tyre.
“Flamuri kombëtar i shqiptarëve është e vërteta e Serbisë, është vetë ekzistenca e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pesë herë jam procesuar nga Policia. Pesë herë jam përndjekur nga Prokuroria e kundërvajtjes. Pesë herë jam dënuar nga Gjykata e Vrajës për ngritjen e flamurit kombëtar në godinën e Këshillit Kombëtar Shqiptar”, tregon ai.
“Jam aty ku fillon padrejtësia, për të qenë zëri i atyre që shteti mundohet t’i heshtë. Për sa kohë që diskriminimi institucional, pasivizimi, mohimi i identitetit dhe pabarazia janë realiteti i shqiptarëve në Luginë, do të vazhdoj të jem në ballë të betejës politike dhe diplomatike për dinjitet, barazi dhe të drejta të garantuara”, përfundoi Mustafi.
Kurse kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, vlerëson se rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian rikonfirmon se zëri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës po dëgjohet dhe se Brukseli i njeh mirë sfidat me të cilat ata po përballen si komunitet.
“Ky dokument nga institucioni më i lartë legjislativ i BE-së rikonfirmon se zëri ynë po dëgjohet dhe se sfidat me të cilat përballemi janë të njohura qartë në Bruksel. Presioni ndaj Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj ndaj pakicave, përfshirë shqiptarët në Luginën e Preshevës, po rritet”, tha ajo për Gazetën Enigma.
Sinani tha se e mirëpresin këtë rezolutë dhe i bëjnë thirrje ekzekutivit serb ta trajtojë me seriozitet thirrjen e PE-së.
“Ne mirëpresim këtë rezolutë dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Serbisë ta trajtojë me seriozitetin maksimal këto gjetje dhe rekomandime. Zbatimi i plotë i të drejtave tona nuk është vetëm një kërkesë e BE-së, por një domosdoshmëri për një shoqëri demokratike dhe të barabartë”, shtoi ajo.
“Rruga jonë për drejtësi dhe barazi është e gjatë, por me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe me vendosmërinë tonë të palëkundur, ne do të vazhdojmë të kërkojmë atë që na takon”, përfundoi Sinani.
/Gazeta Enigma/