Ndonëse janë bërë 2 muaj që kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kosova ende vazhdon të jetë pa Qeveri funksionale, e me Kuvend të pa konstituuar, shkruan Gazeta Enigma.
Ndërkohë ndryshe prej të kaluarës, kësaj radhe vlerësohet se bashkësia ndërkombëtare po qëndron “e heshtur” karshi katrahurës që e ka kapluar vendin.
Më 21 maj ka dështuar për të 19-tën herë të konstituohet Kuvendi, ku partia e parë LVV vazhdon të propozojë kandidatin e njejtë Albulena Haxhiun, për kryeparlamentar edhe pse partitë opozitare kanë bërë thirrje të propozohet ndonjë emër tjetër, sepse për propozimin aktual që nga dita e parë janë deklaruar se nuk do të votohet.
Duke parë që nuk ka progres, e para e vendit presidentja Vjosa Osmani, i ka ftuar kryesuesit e partive politike në një takim për të gjetur një zgjidhje të krizës në Kuvend.
Por, as pas takimit mes presidentes me krertët partive parlamentare nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokim të ngërçit politik. Partia e parë, LVV, dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë të hedhin “topin e fajit” në duart e njëra tjetrës.
Thirrjet e ndërkombëtarëve kalojnë në “vesh të shurdhër”
Thirrjet për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit kanë qenë prezente vazhdimisht që nga fillimi i ngërçit politik në Kosovë nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse është vlerësuar se presioni nga ta nuk është i madh ndaj ekzekutivit aktual.
Të mërkurën në një intervistë për media ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e quajti jo të mirë për reputacionin e Kosovës ngërçin aktual politik si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme për të konstituuar Kuvendin.
Rohde madje e quajti “rekord të keq botëror” dështimin e 19-të.
“Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në një vend demokratik është me rëndësi. Nuk është e mirë për Kosovën e as reputacionin e saj, sepse më duket mua që është rekord i keq botëror që për 19 herë të mos zgjedhjet kryetari”, theksoi ai.
“Unë e përdor termin vendi i pari, partia politike e dyta. Javën e kaluar kur luaja futboll e përdora një analogji duke thënë, nëse strategjia nuk të çon tek synimi i dëshiruar, ju duhet ta përshtatni strategjinë. Dhe përshtatja e strategjisë po ashtu mund të përfshijë edhe zëvendësimin e një pjese të ekipit, por prapë është përgjegjësia e hisedarëve për t’u siguruar për rezultatin dhe kjo nuk është përgjegjësi e jona. Ne vetëm mund të bëjmë apel të kërkojmë si miq të bëhet dhe të japim këshilla të mira”, tha Rohde në Rubikon.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të institucioneve funksionale si parakusht për stabilitetin dhe mbrojtjen e demokracisë në vend.
“Mendoj që Kosova si çdo vend tjetër ka nevojë për institucione funksionale, të gjitha institucionet, Kuvendi, Qeveria, poashtu nevojitet edhe gjyqësori i pavarur dhe mediat që funksionojnë mirë. Kjo është në interes të Kosovës, të shtetasve të Kosovës, është në interes të të gjithëve, sepse ka kërcënime ndaj demokracisë gjithandej kontinentin”, potencoi ai.
Heshtja e ndërkombëtarëve si dënim për klasën politike?
Njohësi i çështjeve diplomatike, Dritëro Arifi, vlerëson se kjo ‘heshtje’ e ndërkombëtarëve është një lloj dënimi për klasën politike në Kosovë.
Sipas Arifit, fokusi kryesor i Bashkimit Evropian në këtë periudhë është lufta në Ukrainë dhe ndërtimi i raporteve me administratën Trump.
“Mungesa e presionit ndërkombëtarë më saktësisht Bashkimit Evropian, ka të bëj më shumë me angazhimin e BE-së rreth luftës në Ukrainë dhe ndërtimit të raportëve me administratën e re Trump, dhe normalisht arsyeja e tretë ka të bëj menjë far përgjegjësie institucionale të Republikës së Kosovës, dhe ndërkombëtarët por presin një vetreflektim të partive politike për të vazhduar tutje me ndërtimin e demokracisë brend Kosovë”, theksoi ai.
“Kjo mungesë e presionit nga ndërkombëtarët mund të jetë një dënim i heshtur për krizën institucionale, pra, kjo hesthje diplomatike në diplomaci nënkuptohet si dënimi për klasën politike që të mos angazhohen për të parë se a janë të aftë të krijojnë një klimë të besueshmërisë demokratike dhe funskionalitetit institucional, pra a janë në gjendje që në mënyrë të pavarur të ndërtojnë institucione demokratike dhe të lëvizin tutje në zhvillimin e vendit”.
Kurse njohësit i çështjeve politike, Avni Arifi, thotë se ndërkombëtarët nuk kanë vullnet të kenë negociata me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, sepse nuk i besojnë atij.
“Janë dy arsye: 1. Kosova është shtet sovran dhe shumë nga vendet aleate e konsiderojnë të tejkaluar periudhën se kur është dasht të ndërhyjnë. Ata thonë se kjo është çështje e shtetit të Kosovës. 2. Asnjëri nga vendet aleate nuk ka vullnet që të hyj në negociata me Kurtin, sepse në sytë e tyre kanë një person që as nuk ju beson e as nuk i besojnë”, u shpreh Arifi për Gazetën Enigma.
Ekspert i çështjeve nderkombetare Akri Çipa, për Gazetën Enigma ka deklaruar se qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare karshi bllokadës politike “kanë qenë të pritshme nisur nga vetë realiteti në Kosovë dhe proceset e brendshme politike e elektorale të vendit”.
“ Ajo çfarë partnerët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit diplomatikë kanë bërë të qartë është rëndësia ezaurimit sa më të shpejtë të këtyre proceseve për hir të sfidave me të cilat përballet Kosova. Duke marrë parasysh sa ato në rrafshin ekonomik, aq edhe ato në marrëdhëniet me jashtë, është tejet thelbësore për Kosovën që partitë politike tashmë të tejkalojnë ngërçin politik dhe të gjejnë një modalitet qeverisjeje të qëndrueshme për katër vitet e ardhshme”, ka theksuar ai.
Ai shton se nevoja për formimin e Qeverisë është imediate.
“Zhvillimet ndërkombëtare që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë Kosovën e rajonin, nevoja për të përmirësuar e thelluar marrëdhëniet me disa prej partnerëve kyç të Kosovës, adresimi i masave të padrejta të Bashkimit Europian kundrejt Prishtinës, integrimi i mëtejshëm në strukturat ndërkombëtare dhe platformat multilaterale, si dhe qasja ndaj procesit të dialogut, janë të gjitha elemente që kërkojnë një qeveri të re të mandatuar dhe të qartë strategjikisht në raport me arritjen e objektivave konform interesit shtetëror e kombëtar”. / Gazeta Enigma.