Pas ngjitjeve në 14 majat e botës, Kurti e pret në takim Uta Ibrahimin – e cilëson ‘sinonim të lartësive’

Pas ngjitjeve në 14 majat e botës, Kurti e pret në takim Uta Ibrahimin – e cilëson ‘sinonim të lartësive’

Mëngjesin e sotëm, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në Ballkonin e Hapur të Qeverisë alpinisten Uta Ibrahimin, e cila ka shënuar histori në alpinizmin ndërkombëtar, duke ngjitur 14 majat më të larta të botës.

Të mbledhur për të nderuar “Utën e Maleve”, kryeministri Kurti e cilësoi atë sinonim të lartësive, jo vetëm lartësive të majave që i ka ngjitur, por edhe të virtyteve që ajo përfaqëson. Ekspeditën e saj, me synimin për të ngjitur 14 malet më të larta të botës, Uta e filloi në maj të vitit 2017 me ngjitjen e Everestit – 8,848 metra lartësi, dhe e finalizoi me ngjitjen e fundit, të 14-tën me radhë, në Kanchenjunga.

“116,294 metra është lartësia totale e 14 majave që i ka ngjitur Uta… kjo është 13 herë më lart se vet mali Everest… e diku rreth 10 herë më lart se lartësia mesatare e një aeroplani të zakonshëm pasagjerësh në fluturim. Është prej atyre gjërave që mund t’i mendojmë por disi jo edhe t’i imagjinojmë, që duken krejt të pabesueshme sikur të mos dukej dëshmia e gjallë – njeriu që e bëri, Uta, e cila është sot këtu, mes nesh… mbi 116 mijë herë e përmbushur dhe krenare”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se Uta është shembulli që u flet të gjithëve, por veçanërisht të rinjve dhe vajzave tona, me mesazhin që ëndrrat nuk janë asnjëherë shumë të mëdha kur ke guxim për majat dhe besim në vete.

“Përmes teje Uta, Kosova ka qenë në K2, në Annapurna, në Makalu e deri në Kanchenjunga. Ke qenë atje ku stuhia nuk të fal, ku ajri nuk mjafton, ku temperatura nuk premton, por ku për njerëzit sikur ti – vullneti është më i fortë se cilido gur e shkëmb dhe nuk ka maje që nuk arrihet. Me dy flamuj në shpinë, që i ke bartë brenda çantës në krah e brenda zemrës në kraharor, së bashku me të gjithë vendin prej nga vjen”, tha kryeministri.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti veçoi edhe pasionin dhe angazhimin e Utes për mbrojtjen e natyrës, për ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezave të rinj, për të cilën e falënderoi në emër të Qeverisë, institucioneve dhe qytetarëve. Me këtë rast, ai zbuloi se jemi në proces të vlerësimit të të gjitha procedurave dhe mundësive që një nga majat e maleve tona të mbajë emrin “Maja e Utës”, për emrin që ka shënuar histori të alpinizmit ndërkombëtar e që duhet përgjithmonë të jetë i lidhur me tokën e me malet e Kosovës.

Ndërkaq, alpinistja Uta Ibrahimi, u shpreh se këtë pritje e sheh si mirëseardhje në shtëpinë e saj, në një vend për të cilin, siç tha ajo, pas çdo ngjitje në maje të botës, gjithmonë ka pasur një motiv: Kosovën.

Arritjet e saj si e para në Ballkan që ka ngjitur 14 majat e botës, ajo nuk i konsideroi vetëm arritje personale, por e cilësoi si nder dhe përgjegjësi për ta çuar përpara këtë frymë dhe për të dhënë këtë energji për vendin tonë. Ndër të tjera, u shpreh thellësisht mirënjohëse dhe falënderuese për organizimin mikpritës nga Zyra e Kryeministrit, të cilin e vlerësoi si një moment emocional për të.

“Unë jam ngjitë në majat e botës, mirëpo gjithmonë e kam pas një qëllim, që ta çoj sa më lartë Kosovën, dhe flamurin e Kosovës, në secilën maje”, u shpreh Uta, duke i bërë thirrje të gjithëve që së bashku të ngjiten në majat e bukura të maleve të Kosovës.

Related Articles