Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se mirëpret rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët paraqesin aleatin kryesor të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA të cilët paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore: e para mbrojtja, e dyta është diplomacia dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti në një deklarim për media në Shtime.
Tutje ai theksoi se “Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë, Milan Radojçiqin, kryekriminelin që na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pastaj të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht edhe ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Brnabiq pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Ndërkaq të dielën, Presidentit amerikan Donald Trump, i cili derisa ka thënë se ka Irani dhe Izraeli duhet dhe do të arrijnë marrëveshje, ka përmendur edhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se gjatë mandatit të tij të parë “kishte ndaluar mundësinë e eskalimit të situatës”.
Trump ka theksuar se ish-presidenti Joe Biden “e ka dëmtuar perspektiven afatgjate me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish”. / Gazeta Enigma.