Mustafa: Vendimi i SHBA-së më i rëndë se sanksionet e BE-së

Mustafa: Vendimi i SHBA-së më i rëndë se sanksionet e BE-së

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërprerjen e Dialogut Strategjik është hap shumë më i rëndë sesa sanksionet e Bashkimit Evropian tha ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Mustafa tha se ky vendim i ka dy aspekte, është shumë i rëndë dhe me pasoja afatgjata në fushën e sigurisë, diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekonomik.

“Mendoj se janë dy aspekte të këtij vendimi. I pari, i rëndë simbolik, se SHBA-ja do ta ndërpret bashkëpunimin strategjik me Qeverinë e Kosovës dhe i dyti, i lidhur me pasojat afatgjata në fushën e sigurisë, diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekonomik”, tha Mustafa.

Tutje ai ka theksuar se “ ky vendim është larg më i rëndë nga sanksionet ekonomike dhe politike të vendosura nga BE. Duhet të jesh shumë i mençur, e më mirë të them shumë i marrë dhe i papërgjegjshëm për të thënë se çfarë mund të bëjë Kosova pa SHBA-në”.

“Kur ta përmend SHBA-ja emrin për të keq, vështirë të kalosh pa pasoja”

“Po shihet qartë se masat ndaj Kosovës nuk po janë të përkohshme. Flet qartë rasti i atyre të BE-së. Aq më pak mund të jenë këto të Amerikës. Kur ta përmend SHBA-ja emrin për të keq, vështirë të kalosh pa pasoja. Interesat dhe strategjitë për të cilat angazhohet SHBA-ja duhet respektuar”, deklaroi Mustafa për “Enigmën”.

Tutje ish-kryeministri pas këtij vendimi paralajmëroi pasoja të rënda diplomatike për vendin tonë.

“Do të ketë mungesë të përkrahjes në institucionet relevante ndërkombëtare, ato diplomatike dhe financiare. Mund të ketë rifillim të procesit të ç’njohjeve, të cilat i stopoi SHBA-ja, me marrëveshjen e Washingtonit me kryeministrin Hoti. Në çdo tavolinë të dialogut do të jemi më pak të sigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, deklaroi Mustafa.

“Qeveria duhet të bashkëpunojë dhe të bashkërendisë veprimet me SHBA-në. Të mos i bëjë karshillëk vendit që të ka bërë shtet. Të mos i krekosesh me sovranitet atij që është duke ta mbrojtur sovranitetin dhee integritetin territorial me ushtri dhe diplomaci të vet. Natyrisht nëse nuk ke ndonjë mision të shkatërrosh atë që është arritur”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles