Me dekada të tëra, shqiptarët e Kosovës kanë një ëndërr – bashkimin me Shqipërinë, në një komb e me një flamur, shkruan Gazeta Enigma. Ndonëse në diskursin publik pak përmendet kjo temë vitet e fundit, shpresat e shqiptarëve anembanë mbesin të gjalla.
Në përvjetorin e 115-të të shtetit, shqiptar, Kosova – njëjtë si Shqipëria, është në festë të madhe për festën e Pavarësisë dhe Flamurit.
E një pyetje, një dilemë, një dëshirë, një ideal që shtrohet për çdo përvjetor por jo vetëm, është bashkimi i Kosovës, tokës Dardane, me Shqipërinë, të cilat më herët së bashku ishin tokë Ilire.
Populli nga të dy anët është pro një bashkimi të tillë, por në rrugë ka shumë pengesa. Mospëlqimi nga shtetet fqinje, mosaprovimi i ndryshimit të kufijve nga faktori ndërkombëtar, janë disa nga to.
Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri në një sondazh të bërë në vitin 2024 në shumicë, janë shprehur se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.
Kush e proklamoi idenë e bashkimit?
Në Kosovë, të gjitha partitë e mëdha shqiptare janë pro bashkimit, por njëra nga to ka që bërë më shumë zhurmë për këtë çështje është Lëvizja Vetëvendosje.
Që nga themelimi si parti, bashkë me Albin Kurti në krye, Lëvizja Vetëvendosje është përfaqësuar me flamurin Kuq e Zi, me himnin “Rreth Flamurit të Përbashkuar” e me thirrje për bashkim.
Me këto veprime e këto thirrje, LVV fitoi përkrahje përgjatë viteve nga populli në Kosovë, e cila kulmoi më 2021.
“Lëvizja Vetëvendosje e merr pushtetin, e ndryshojmë Kushtetutën, e heqim nenin 1.3, në mënyrë paqësore dhe demokratike i bashkohemi Shqipërisë”, thoshte Kurti.
Megjithatë, pas ardhjes në pushtet, për Kurtin ishte problem pikërisht neni 1.3.
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ndërkaq neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër”, tha Kurti pas erdhi në pushtet.
Me kalimin e viteve në Qeveri, Kurti bashkë me anëtarët e kësaj partie çdoherë e më pak përmendnin Shqipërinë dhe bashkimin.
Por pse?
Analisti politik, Arton Muhaxheri, thotë për Gazetën Enigma se kauza e LVV-së për bashkim kombëtar ka qenë “një retorikë e pastër politike, por efektive për votuesin”.
“Ardhja në pushtet nxori në sipërfaqe diçka që tashmë dihej: bashkimi kombëtar nuk është as teknik, as i shpejtë, dhe as i mundshëm pa konsensus, pa proces ndërkombëtar dhe pa një diplomaci të qëndrueshme me Tiranën. Pikërisht këtu filloi heshtja”, thotë Muhaxheri.
Sipas tij, Qeveria Kurti nuk e përmend më bashkimin kombëtar për një arsye të thjeshtë: “Tani bart përgjegjësi reale dhe jo premtime simbolike. Madje, jo vetëm që tema është zhdukur, por marrëdhëniet me Shqipërinë kanë hyrë në faza tensioni dhe ftohjeje, aq sa të flitet për bashkim duket pothuajse absurd. Nga bllokimi i disa projekteve të përbashkëta, te deklaratat e ashpra mes dy kryeministrave – e gjithë logjika politike ka shkuar në drejtim të kundërt me retorikën e dikurshme”.
Ndërkohë që nga Kurti është vërejtur tërheqje nga kauza për bashkim kombëtare, Muhaxheri thotë se një që e tillë nuk mund të thuhet edhe për Edi Ramën, pasi që i njëjti nuk ka premtuar asnjëherë një bashkim të tillë.
“Pavarësisht kritikave të shumta, kurrë nuk e ka premtuar bashkimin si projekt politik. Ai as nuk e ka ofruar si premtim elektoral, as nuk e ka shitur si kauzë të realizueshme me një lëvizje kushtetuese. Vija e tij ka qenë e qartë: bashkëpunim rajonal, jo bashkim shtetëror. Prandaj, të paktën në këtë aspekt, nuk ka kontradiktë mes asaj që ka thënë dhe asaj që ka bërë”.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Lëvizjes Vetëvendosje, Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë lidhur me qëndrimet e tanishme rreth kësaj çështje, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra deri në publikimin e këtij artikulli.
A ka gjasa të rikthehet tema e bashkimit kombëtar?
Muhaxheri e sheh këtë vetëm si retorikë.
“Teksti kushtetues, pozicionet ndërkombëtare, interesat rajonale dhe vetë dinamika mes Tiranës e Prishtinës e bëjnë praktikisht të paarritshëm çdo hap drejt bashkimit. Mund të flitet për bashkim kulturor, ekonomik, arsimor apo strategjik – por bashkimi politik mbetet një premtim që funksionon vetëm kur je jashtë pushtetit”, deklaron tutje ai.
“Dhe në Kosovë, sidomos për Qeverinë Kurti, ky premtim tani është barrë, jo përfitim. Prandaj heshtet. Prandaj shmanget. Prandaj është zhdukur si temë. Bashkimi kombëtar nuk u harrua rastësisht — u harrua sepse kurrë nuk ka qenë realitet politik, por instrument elektoral”.
LVV ka ndryshuar
Analisti tjetër politik, Xhavit Drenori, thotë se kur dikush vjen në Qeveri, e ka të vështirë të thotë gjëra që nuk mund të bëhen.
“Është e vërtetë se Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur si një lloj kauze bashkimin kombëtar, madje flamurin Kuq e Zi edhe kësaj dite mundohet ta mbajë, por nuk i ka më ato pozicionet siç i ka pasur në opozitë, ende pa ardhur në qeverisje, kur flamurin dhe himnin e Republikës së Kosovës nuk e respektonte. Pra ka ndryshuar. Sepse kur je në pozitë e jo në opozitë, nuk mundesh me thënë gjëra, pa i testuar mirë se a bëhen”.
“Bashkimi kombëtar në këtë fazë nuk bëhet”
Arsyeja për këtë, sipas Drenorit kjo ide has në rezistencë të madhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe të rrethanave nëpër të cilat po kalojmë.
“Pra është pak normale që këtë instrument Kurti nuk e përdorë shumë, megjithatë, për të mos u shkëputur shumë nga ajo, Vetëvendosja ende provon ta mbajë pak si një lloj kauze, me flamurin Kuq e Zi në Kuvend, kur bëheshin mbledhjet për konstituim të Kuvendit. Ose kur i mbajnë mbledhjet e Këshillit Drejtues të partisë, shohim flamurin Kuq e Zi. Pra janë disa momente ku ende mundohen ta mbajnë atë qëndrim”.
“Edhe pse bashkimi kombëtar nuk bëhet në këtë fazë, unë jam i lindur dhe i rritur në këtë frymë, andaj lutem që ta përjetojë edhe këtë”, thotë Drenori.
Si të arrihet bashkimi kombëtar?
Drenori thotë se në mënyrë që një gjë e tillë të arrihet, Kosova duhet të punojë shumë, për ta forcuar shtetin.
“Në një moment të caktuar, sepse kurrë nuk i dihet momenteve. Për shembull, kush e ka menduar se do të ketë një luftë në Evropë, pra mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe ndryshimet drastike në politikat e Bashkimit Evropian, të cilën kanë filluar ta kenë fokusin dhe investime tek ushtritë, dhe çka nëse pas 10 vjetëve ndodhë një konflikt tjetër, i cili realisht e ndryshon komplet dinamikën e rrjedhës globale dhe krijohet një momentum ku kufijtë mund të ndryshohen në Evropë dhe Kosova bashkëngjitet me Shqipërinë”.
“Prandaj, ai është një moment i cili duhet të pritet, por jo në këtë fazë. Në këtë fazë ne mundemi që thjesht të bëjmë zhurmë, çka është mirë, sepse gjeneratat e reja nuk janë shumë të lidhur me këtë element siç jemi ne, që e kemi përjetuar paraluftën dhe luftën”, u shpreh në fund Drenori.
Kurse ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri Valon Murati thotë se ndonëse Kurti idenë e bashkimit kombëtar e ka përdorur për qëllime populiste, sipas tij asnjëherë s’ka pasur ndonjë veprim konkret.
“Z.Kurti, idenë e bashkimit e ka pasur pjesë të politikës së tij populiste. Asnjëherë nuk e ka pasur projekt konkret veprues, siç nuk ka pasur as për çështjet e tjera. Në natyrën e politikanëve populistë, është çështjet e komplikuara e komplekse t’i përkthejnë në parulla elektorale të cilat ngjisin me njerëzit, por të cilat nuk realizohen asnjëherë. Procesi i bashkimit është një proces kompleks politik e gjeopolitik”, thekson ai.
Përderisa për integrimet kombëtare nuk ka nevojë ndryshime kushtetuese, Murati thotë se “bashkimi as nuk mund të mendohet pa ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës”.
“E ndryshimi është një punë Sizifi, sepse kushtetuta e ndalon bashkimin në nenin 1.3 (të cilin z.Kurti kinse e pat zbuluar pasi është bërë kryeministër) në njërën anë dhe në anën tjetër ndryshimi nuk mund të ndodh pa 2/3 e deputetëve të pakicave, përfshirë së paku 4 deputetë serb”.
Sipas profesorit Murati, e vetmja mundësi në këto rrethana për të realizuar këto ndryshime do të ishte që duke shfrytëzuar dialogun me Serbinë të arrijmë një marrëveshje me Serbinë, e cila do të përfshinte në të edhe shqiptarët e Kosovës Lindore. “Përkatësish rruga e duhur do të duhej të ishte përfshirja e reciprocitetit në të drejta për shqiptarët e Kosovës Lindore sikur për serbët në veriun e Kosovës”.
“Ky reciprocitet do të duhej të çonte në ripërcaktimin e kufijve, ku pjesa shqiptare e Kosovës Lindore do të duhej t’i bashkohej Kosovës, dhe pjesa serbe e tri komunave veriore (pa veriun e Mitrovicës prej janë dëbuar shqiptarët në vitin 2000) t’i bashkohej Serbisë”.
Ai potencon se “një zgjidhje e tillë që e patëm shumë afër në vitin 2018 duke qenë se kishte përkrhajen edhe të Uashingtonit e edhe Brukselit zyrtar, e për turpin tonë e minuam, do të ishte jo vetëm zgjidhja më e mirë, por e vetmja që e shtron rrugën qoftë për një Kosovë funksionale e tërësisht sovrane, e qoftë për një bashkim të dy republikave tona”. / Gazeta Enigma.
