Kosova s’ftohet në takimin e ‘Minishengenit’, përafrohet treshja Rama-Zaev-Vuçiq

Kosova s’ftohet në takimin e ‘Minishengenit’, përafrohet treshja Rama-Zaev-Vuçiq

“Open Balkan” (Ballkani i Hapur) – është emri i ri me të cilin do të promovohet edhe më tej nisma për krijimin e një ‘Minishengeni’ Ballkanik, i nisur dy vite më parë , shkruan Gazeta “Enigma”.

Ky emër u prezantua të enjten, së bashku me katër zotime të tjera, që u bënë publike në Forumi ekonomik rajonal, ku po marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pjesëmarrjen në takim e bojkotoi, kryeministri kosovar, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të tjerë të vendeve në rajon.

Kryeministri Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Lidhur me mospjesëmarrjen e këtyre shteteve në këtë forum janë deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qeveria e Kosovës  i kundërpërgjigjet thirrjeve nga Shkupi

Pas thirrjeve e ‘thumbimeve’ të ardhura nga Shkupi, ka reaguar Qeveria e Kosovës, zyrtar të së cilës kanë thënë thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Përmes një përgjigje me shkrim dhënë mediave, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura” dhe se për këtë takim nuk kanë marrë ftesë zyrtare.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

“Thumbimet” e Ramës dhe Vuçiq për Kosovën

Kryeministri, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në këtë forum, deklaroi se do të ishte kurioz të shihet se çfarë do të thonë udhëheqësit e shteteve që nuk po marrin pjesë në forum kur ndërmarrësit e tyre do të hasin në pengesa në kufi.

“Do të isha shumë kurioz që të shoh se çka do t’ju thonë ndërmarrësve udhëheqësit e vendeve që nuk janë këtu, kur kamioni i një vendi tjetër që nuk është këtu, do të duhet të ndalet në kufi, ndërsa kamioni i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të udhëtojë pa ndalesa. Për këtë po flas unë”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera ai u deklarua haptazi për qëndrimin e Kosovës, karshi kësaj nisme.

“E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe ta bëjnë maksimumin për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, tha Rama në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet në Shkup.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk mund të vazhdojmë të lusim vendet tjera që nuk janë pjesë e këtij forumi. Mendimet e mija për Prishtinën do t’i ruaj anash në prezencë të Edit. Nuk e kuptoj se pa arsye racionale kundërshtohet kjo nismë. Nuk e kuptoj. Nuk ka arsye racionale”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, më i përmbajtur në qëndrime ishte Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili, si nikoqir i këtij takimi, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Zaev.

Marrëveshjet e arritura në Shkup

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pohoi se tashmë është nënshkruar deklarata e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Me këtë rast presidenti serb, Vuçiq tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.

Zaev tha se Maqedonia e Veriut e mbështet nismën, sepse “duhet të bëhet shumë më tepër për përafrimin ekonomik”.

“Cirkusi politik” – “Rama e vendosi Serbinë, para Kosovës”

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se “Jam në qëndrim absolutisht të kundërt me Kosovën”, po cilësohet si sinjal nga ana e Ramës, se për të më e rëndësishme sesa njohja e Kosovës nga Serbia, është suksesi i të ashtuquajturit ‘Mini Shengen’, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Kështu të paktën vlerëson, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha, i cili thotë se qasja e këtij samiti ishte jo serioze.

“Pra për të thënë ndryshe për Ramën, para njohjes së Kosovës nga Serbia, vije suksesi i Mini-Shengenit. Para spastrimit etnik të shqiptarëve në luginë, vijnë interesat politik dhe ekonomik të Serbisë. Përtej kësaj, fakti që dy vite pas lansimit të iniciativës në takimin e Shkupit refuzuan të marrin pjesë gjysma e vendeve të Ballkanit dhe të gjithë akterët të rëndësishëm ndërkombëtar tregon çdo gjë për fatin e kësaj iniciative”, ka thëmë ai.

Ai madje tërë takimin e sotëm e ka quajtur ‘cirkus politik’

“Sa i përket kredibilitetit të zotimeve të sotme të Vuçiq-Rama-Zaev, ia vlen të shikosh se çfarë ka ndodhur me shtatë zotimet e Samitit të Tiranës të bëra na tetor 2019. Nga total prej shtatë zotimeve konkrete, ASNJË prej tyre nuk është përmbushur. Sa për kujtim psh. pjesëmarrësit ishin zotuar në Tiranë se deri në fund të vitit 2020, do të sigurojnë funksionalizimin e sistemit të lëvizjes së lirë të mallrave. Sot thanë që e arrijnë këtë deri 2023-en. Këtij zotimi më as ata vet nuk i besojnë”, ka shtuar tutje ai.

Ai po ashtu ka thënë se që iniciativë rajonale të këtë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tri elementet kyçe. “ (1) të këtë gjithë përfshirje politike, (2) të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe (3) të këtë strukturë administrative që do monitoroj zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e MIni-Shengenit nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto 3 kritere bazë”, theksoi ai. Rrjedhimisht, sipas tij Kosova ka bëre mirë që ka mbetur konsistente në politikën e saj të jashtme, duke zgjedhur procesin e Berlinit, para aventurës së Mini-Shengenit.

Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare./Gazeta Enigma.



Related Articles