Top Channel: Altin Dumanit i aprovohet kërkesa për angazhim në Kosovë

Top Channel: Altin Dumanit i aprovohet kërkesa për angazhim në Kosovë

Mediat në Shqipëri po raportojnë se ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani do të angazhohet në Kosovë.

Ish- drejtuesi i SPAK, pas përfundimit të mandatit, shërben si prokuror i thjeshtë në këtë Prokurori si edhe drejtues i sektorit të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë.

Top Channel raporton se këtë të premte, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar një kërkesë të Dumanit, ku kërkonte miratim për të zhvilluar aktivitet jashtë funksioneve të prokurorisë.

Ish-kryeprokurori i posaçëm ka marrë leje për tu angazhuar si ekspert kryesor në trajnimin praktik të masterklasit të nivelit të lartë për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Tri javë më parë përfaqësues të Ambasadës Britanike, zhvilloi një takim me  Dumanin. Sipas njoftimit të atëhershëm nga Ambasada Britanike, palët kishin diskutuar mbi lehtësimin “në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës.”

“Të kënaqur që ekipi ynë u takua sot me Altin Dumanin, ish-shefin e SPAK-ut për të diskutuar lehtësimin, në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës. Ky angazhim, i mbështetur përmes projektit tonë, thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit praktik në forcimin e sundimit të ligjit.”, thuhej në njoftim.

Related Articles