Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos të Zvicrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Gjatë takimit, siç njofton Kryeministria, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale.
“Kryeministri u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, u tha në njoftim.
