Një incident ka ndodhur sot rreth orës 15:30 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, ku një punëtor që po kujdesej për mbarëvajtjen e punimeve rrugore është sulmuar nga një qytetar.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se viktima është intervistuar nga policia, ndërsa i dyshuari tashmë është identifikuar dhe është kontaktuar për intervistim.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, ndërsa në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është iniciuar si vepër penale “Sulm”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
“Më 07.03.2026, rreth orës 15:30, në rrugën “12 Qershori” është raportuar një rast sulmi. Sipas raportimit, punëtori i një kompanie të autorizuar për punime në rrugë, është sulmuar nga një person i dyshuar. Në vendngjarje ka reaguar patrulla e policisë. Viktima është intervistuar, ndërsa në rast janë angazhuar njësitë hetimore të stacionit policor. Në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është iniciuar si vepër penale “Sulmi”.Është identifikuar i dyshuari i ketij rasti dhe është kontaktuar për intervistim.Për detaje tjera do te njoftoheni me raport vijues”, ka thënë Veseli.
