Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi më herët se ka arrestuar një serb, të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin terorist në Banjskë, që la të vrarë rreshtetin Afrim Bunjaku.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar për arrestimin e tij.
Sipas tij, është arrestuar i dyshuari Stefan Raduloviq, i cili ishte në kërkim nga autoritetet.
“Terroristët nuk kanë vend në vendin tonë e as nuk do të mund t’i ikin përgjegjësisë pafundësisht. Sot, u arrestua edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, Stefan Raduloviq në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen e të gjithë personave të përfshirë në këtë rast.
“Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetutshmëri e ligjshmëri”, ka deklaruar ministri.
