Koalicionet parazgjedhore ende të paqarta, partitë bëjnë llogaritë për 7 qershorin

Koalicionet parazgjedhore ende të paqarta, partitë bëjnë llogaritë për 7 qershorin

Teksa pak orë kanë mbetur në dispozicion për partitë politike që t’i regjistrojnë koalicionet, veçse kanë nisur kalkulimet e para për mënyrën se si partitë do t’i qasen garës elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Krahas përgatitjeve për listat zgjedhore dhe organizimit të fushatës, një nga çështjet që ka krijuar diskutime të shumta këto ditë është mundësia e krijimit të koalicioneve parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të garoj sërish me Guxo-n dhe Alternativën, ndonëse përfaqësues të kësaj partie s’kanë dhënë detaje mbi këto koalicione.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se në zgjedhjet e 7 qershorit do t’i bashkojnë forcat me ish-presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë deklaruar nëse do të garojnë të vetme apo do të kenë koalicione me ndonjë parti para zgjedhjeve. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zgjedhur që ta masë forcën e vetme para elektoratit.

Sa ka gjasa për koalicione parazgjedhore?

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë për “Enigmën” se nuk duket se ka gjasa për koalicione parazgjedhore, sidomos jo mes partive të mëdha.

“Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, nuk duket se ka shumë gjasa të ndodhin, sidomos jo nga partitë e mëdha. Ato më shumë po parapëlqejnë të përfshijnë individë apo figura në listat e tyre, pa hyrë në koalicione formale mes partive politike. Kjo vjen sepse partitë e mëdha duan ta ruajnë subjektivitetin dhe identitetin e tyre politik, gjë që është e kuptueshme”, deklaroi ai.

AAK garon e vetme në zgjedhjet e 7 qershorit

Ndërsa Time Kadrijaj nga AAK, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se ata kanë vendosur që në këto zgjedhje të garojnë të vetëm.

“Ne si Aleancë jo. Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje të garojmë të vetëm me logon e AAK-së. Për partitë e tjera nuk di. Kjo e LDK-së me Vjosa Osmanin është bashkim, nuk është koalicion, pasi Vjosa Osmani nuk ka pasur ndonjë parti politike. Nuk po shoh që mund të ketë koalicione tjera as nga PDK-ja, ndërsa LVV-ja ato koalicione që i ka janë vetëm sa për t’u thënë, pasi në logon e tyre është vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Nuk ka koalicione me parti politike, me një kandidat siç është Mimoza Kusari ose me Listën GUXO. Nuk e shoh që i ka mbetur ndonjë strukturë që të arrihet diçka”, deklaroi Kadrijaj.

Dakordim për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin

Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, pas mbledhjes së kryesisë, tha se janë drejt bashkëpunimit me Vjosa Osmanin.

“U dakorduam që ta formalizojmë, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë më jepni edhe disa ditë për finalizim të diskutimeve me Vjosa Osmanin. Kishte dakordim për idenë e përbashkimit dhe garimit të përbashkët dhe shumë çështje që i kemi diskutuar në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm do t’i finalizojmë këto ditë”, tha ai.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë dashur të përgjigjen në lidhje me këtë çështje, pavarësisht se “Enigma” ka kontaktuar me disa anëtar të kësaj partie.

Nëse arrihet një koalicion para zgjedhjeve, kush përfiton më shumë?

“Në fakt, një bashkëpunim mes Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate do të kishte kuptim, duke qenë se të dyja janë parti me orientim të majtë. Po ashtu, një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mund të ishte i mundshëm në teori, por deri tani nuk ka sinjale që diçka e tillë do të ndodhë”, tha njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri.

Ndërsa Kadrijaj nga AAK tha se “në këto situata, LDK del njëfarë fituese në këto zgjedhje, pasi i është bashkuar Vjosa Osmani”.

A ka mundësi të bashkohet blloku opozitar?

“Në situatën aktuale, para zgjedhjeve, një bashkim i bllokut opozitar në një listë të vetme nuk duket i mundur dhe as i favorshëm. Një veprim i tillë madje mund ta fuqizonte edhe më shumë Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, bashkëpunimi mes partive opozitare mund të ndodhë në nivel tematik ose në kuadër të veprimit politik, por jo në formën e një liste të përbashkët zgjedhore”, tha Muhaxheri.

“Blloku opozitar në një listë, jo”, deklaroi Time Kadrijaj nga AAK.

Dita e fundit e afatit – LVV e PDK ende pa njoftim zyrtar

Kujtojmë se këtë të enjte, në mesnatë, do të përmbyllet afati për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje dhe deklarimin e koalicioneve.

Nga 1 maji deri më sot, LDK-ja dhe AAK-ja kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa LVV-ja dhe PDK-ja ende jo.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se deri më tani KQZ-ja ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion të përbërë nga 2 parti politike.

“Sot, më 7 maj, në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 12:00), KQZ-ja ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion të përbërë nga 2 parti politike”, tha Elezi.

Tutje, Elezi ka treguar se cilat parti politike kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit.

“1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; dhe 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, deklaroi Elezi për “Enigmën”.

Elezi ka njoftuar edhe për partitë tjera që deri më tani nuk kanë njoftuar për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.

“1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; dhe 5. Partia e Drejtësisë”.

Elezi ka njoftuar tutje se brenda 7 ditëve KQZ-ja ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles