Pak orë para se të shpërndahej Kuvendi i Kosovës, Qeveria në krye Albin Kurtin, shpalli konkurs për 20 pozita të larta shtetërore. Një lëvizje e tillë u kritikua, pasi u pa si një tentativë për të punësuar njerëz të afërt me partinë e Lëvizjes Vetëvendosje, në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, shpallja e atij konkursi ishte legjitime, pasi u bë përderisa Qeveria ende nuk e kishte marrë statusin “në detyrë”, shkruan Gazeta Enigma.
Megjithatë, Qeveria duket se nuk u mjaftua me kaq, pasi të mërkurën, Ministria e Drejtësisë ka hapur konkurs për tri pozita të larta drejtuese, diçka që njohësit e ligjeve e shohin në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
“Drejtësia nuk është strehë për militantë”
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, reagoi lidhur me këtë konkurs, duke thënë se “edhe drejtësia shpall konkurse në kundërshtim me Ligjin”.
“Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës së konkurseve joligjore, d.m.th. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore, detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit”, tha Bajrami në reagim.
“Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje. Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet”, u shpreh më tutje deputetja e legjislaturës së fundit të Kuvendit.
Çka thotë ligji?
Avokati dhe interpretuesi i ligjeve, Dardan Gërbeshi, për Gazetën Enigma shpjegon se Ligji për Qeverinë e qartëson se Qeveria në detyrë nuk lejohet të hapë konkurse, ndaj kjo është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Nuk është e lejueshme shpallja e këtyre pozitave në këtë rast, për arsye se neni 31, përkatësisht pika 1.3 e thekson qartazi se Qeveria nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse”, tha Gërbeshi.
“Andaj, në këtë fazë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, për arsye se neni 31 i Ligjit për Qeverinë citon se: “Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të disa aktiviteteve, si p.sh:
Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës,
Në rast të fatkeqësive natyrore, shëndetësore apo situatave të tjera emergjente të përcaktuara me ligje të veçanta,
Qeveria në dorëheqje zhvillon të gjitha veprimet për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ratifikohen nga Presidenti”, shpjegoi më tutje avokati.
“Do të ishte e rrugës që shoqëritë civile të aktivizohen më seriozisht dhe të merren me këtë dukuri”, tha në fund Gërbeshi.
IKD: Shpallja e konkursit, precedent i rrezikshëm për anashkalimin e kufizimeve ligjore
Hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Qemajl Marmullakaj, thotë për Gazetën Enigma se sipas vlerësimit nga IKD, shpallja e këtyre konkurseve nga Ministria e Drejtësisë është në kundërshtim me kufizimet që Ligji për Qeverinë ia imponon një Qeverie në detyrë.
“Këto nuk janë pozita teknike apo administrative të zakonshme, por funksione me mandat të rëndësishëm institucional, kompetenca menaxheriale. Mu për këtë arsye, ligjvënësi ka kufizuar kompetencat e qeverive në detyrë, për të parandaluar vendimmarrje me pasoja afatgjata politike dhe institucionale në periudhën kur një qeveri nuk e ka më legjitimitetin e plotë politik”, tha Marmullakaj.
“Për më tepër, vetë fryma e nenit 31 synon që qeveria në detyrë të kufizohet vetëm në funksione esenciale dhe të domosdoshme administrative, e jo të ndërmarrë veprime që mund të ndikojnë për vite në strukturën drejtuese të institucioneve publike”, deklaroi tutje ai.
Marmullakaj tha se ky konkurs krijon precedent të rrezikshëm për anashkalimin e kufizimeve ligjore që synojnë ruajtjen e neutralitetit institucional gjatë periudhës tranzitore.
“Prandaj, vlerësojmë se shpallja e këtyre konkurseve përbën tejkalim të kompetencave të një qeverie në detyrë dhe krijon precedent të rrezikshëm për anashkalimin e kufizimeve ligjore që synojnë ruajtjen e neutralitetit institucional gjatë periudhës tranzitore”, u shpreh në fund Marmullakaj, në prononcimin për Gazetën Enigma.
Sa do të jetë Kosova me Qeveri në detyrë?
Pas shpërndarjes së Kuvendit, e cila u bë më 29 prill, Qeveria Kurti konsiderohet si Qeveri në detyrë.
Kjo do të vijojë edhe për disa javë apo edhe muaj.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë caktuar të mbahen më 7 qershor.
Duke llogaritur numërimin, certifikimin dhe marrëveshjet e mundshme për koalicion, Kosova mund të mbetet me Qeveri në detyrë deri në korrik apo gusht të këtij viti. /GAZETA ENIGMA
