Ish presidentja Vjosa Osmani, gjatë mandatit të saj presidencial prej 5 vitesh, nuk pati asnjëherë kritika rreth dialogut Kosovë – Serbi të kryesuar nga Albin Kurti. Megjithatë, tani që raportet mes dyshes kanë ndryshuar, ndryshuan edhe deklaratat, shkruan Gazeta Enigma.
Pas prishjes së raportit me Kurtin e bashkimit me LDK-në, ku sërish po synon pozitën e të parës së vendit, Osmani ka filluar me kritika të mëdha për kryeministrin në detyrë dhe liderin e Vetëvendosjes, nisur nga marrëdhëniet e Kosovës me shtetet aleate, e së fundmi lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.
Gjatë një tubimi me qytetarët në Prishtinë, Osmani bëri bujë, duke thënë se kryeministri Kurti, ka ndenjur disa orë në një dhomë në Bruksel, vetëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe udhëheqësin e atëhershëm të dialogut, Mirosllav Lajçak.
Osmani tha se ka pyetur se çfarë është biseduar në takim, por se asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
“Pyetja nuk është çka kam fol unë me një takim publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çka ka fol ai (Kurti) veç me Vuçiqin e Lajçakun me një dhomë. Askush tjetër nuk ka qenë aty. A e dini ju? As unë se di. Presidente e Kosovës, dhe nuk më kanë tregu. A nuk mendoni që e kanë detyrim me dal para qytetarëve? Veç vet me një dhomë kanë qenë kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë edhe ai Lajçak ‘Epsteini’. Kjo është pyetja. Unë e kam transkriptin e asaj çka unë kom bisedu. Por, na kemi me kriju komision parlamentar se ata çka kanë bisedu. Çka po mbajnë fshehtë?”, tha Osmani duke ngritur dyshime mbi zhvillimet në takim.
Reagimi nga LVV
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, reagoi pak pas deklaratës së Osmanit. Ai tha se Vjosa Osmani “po mundohet që ta frikësoj popullin me Serbinë”.
“Ajo është dhoma e Brukselit e negociatave, normalisht që rrihet me orë të tëra. Çka është duke ndodh tash është se Osmani po dëshiron me i përdorë dy tema, Amerika edhe Serbia. Ajo po don me mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit, si dhe me frikësu popullin me Serbinë. Po, sikur PDK-ja dhe LDK-ja qysh i kanë humb zgjedhjet me këto dy tema, do t’i humbin sërish”, tha Konjufca nw Dukagjin.
Gazeta Enigma pyeti dy ish deputetë të LDK-së lidhur me këto deklarata të Osmanit, Armend Zemajn dhe Arben Gashi, por të njëjtit thanë se nuk komentojnë deklaratat e bashkëpartiakëve.
Ndërkohë, as disa anëtarë të LVV-së, të kontaktuar nga Gazeta Enigma, nuk pranuan të flasin.
“Këso deklarata nuk i ndihmojnë Osmanit dhe LDK-së në fushatën zgjedhore”
Analisti politik, Ylli Hoxha, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se deklaratat e tilla nga Osmani, nuk i sjellin dobi asaj dhe LDK-së, në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Është polarizim i mëtutjeshëm i skenës, gjë e cila nuk shoh se i kontribuon opozitës. Ndërkohë, mund t’i ndihmojë më shumë Kurtit. Nuk mund të them me siguri se mund t’i sjell ndonjë dobi, qoftë LDK-së, qoftë asaj në fushatën zgjedhore. Përkundrazi, mendoj se është gjë e dëmshme, për spektrin politik dhe për gjithë shoqërinë, sepse polarizimi ka filluar të bëhet ngulfatës për performancën politike të shoqërisë sonë”, tha Hoxha.
“Dy të njëjtë, të cilët për pushtet personal shkelin mbi çdo parim”
Njohësi tjetër politik, Leon Duhanaj, thotë se Osmani po tregon pas shumë kohësh për të bëmat e Kurtit, “si formë hakmarrje”.
“Në të gjithë këtë angazhim, Vjosa Osmani ka qenë mbështetëse e tij, diku aktive e diku në heshtje. Tani, kur Kurtit i duhej një krizë e re, e vetmja mënyrë ishte duke e larguar znj. Osmani nga ekuacioni i tij. Kjo tashmë, si formë hakmarrjeje, po ia dëshmon para publikut të bëmat e tij kundër interesit të Kosovës”, tha Duhanaj për Gazetën Enigma.
“Pra, këta janë të dy të njëjtë, të cilët për pushtet personal shkelin mbi çdo parim dhe interes të përgjithshëm”, tha në fund Duhanaj.
“Do ndikojë në orientimin e votës”
Ndërsa analisti Valdet Hoxha, për “Enigmën” thotë se deklarimi i Osmanit lidhur me takimin e Kurtit me Vuçiqin dhe Lajçakun, “përforcon perceptimin qytetar se dialogu Kosovë – Serbi nuk është transparent dhe se kjo mënyrë e dialogut, përveç që nuk është e duhura, ajo është edhe në kundërshtim me interesin qytetar”.
“Po duket që fushata do të jetë konfrontuese në kontekstin politik dhe se gara elektorale do zhvillohet vetëm në mes dy figurave, Osmanit e Kurtit”, tha Hoxha.
“Se cila palë do përfitojë politikisht nga kjo deklaratë dhe tjera të ngjashme, që besoj nuk do të mungojnë, mbetet të shihet gjatë këtyre ditëve. Por, një gjë është e sigurt: nga ky debat do të përfitojnë qytetarët të cilët do të kuptojnë më shumë se si janë qeverisur këto 5 vite dhe kjo krijon një pasqyrë elektorale dhe do ndikojë në orientimin e votës”, deklaroi në fund ai. /GAZETA ENIGMA
