Gjykata Speciale ka dalë me një njoftim lidhur me vendimin final që pritet të merret nga trupi gjykues në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,
Në njoftim thuhet se paneli i gjyqtarëve ka kërkuar kohë shtesë prej 60 ditësh, për shkak të volumit të madh të lëndës dhe kompleksitetit të rastit.
“Më 5 maj, Trupi Gjykues lëshoi një urdhër duke zgjatur afatin për vendimin gjyqësor në këtë çështje, për shkak të vëllimit të provave dhe kompleksitetit të procedurave. Urdhri zgjat afatin për shpalljen e vendimit gjyqësor me 60 ditë. Publiku do të informohet pasi Trupi Gjykues të ketë caktuar një datë specifike për shpalljen e vendimit”, thuhet në njoftimin e Hagës.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që trupi gjykues, me një vendim tjetër, të zgjasë sërish afatin për marrjen e vendimit final.
